Deputeti i PD kujton momentet e fundit me Sokol Olldashin

21.11.2017 11:08:53

Më 20 nëntorin e para tri viteve u nda nga jeta tragjikisht në një aksident automobilistik deputeti demokrat, Sokol Olldashi.

Sot në kujtim të tij miqtë dhe të afërmit kanë ndarë kujtime dhe mesazhe prekëse drejtuar ish-deputetit demokrat.

Ndër ta edhe deputeti Oerd Bylykbashi, mik i hershëm i Olldashit ka kujtuar kafen e fundit me të.

Postimi i Bylykbashit

U ndamë rreth orës 13:00 pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. i thamë njëri-tjetrit mirupafshim. Me siguri do të shiheshim të nesërmen sërish. Në ora 22:00 dola ‎nga regjistrimi i një debati në një studio TV. Shiu binte litarë rrugës dhe ndërsa ngisja makinën, me vete thoja: ku e gjeti! Sapo parkova, mora një telefonatë. Nuk e besova. Mora një shok që më tha duke iu dridhur zëri “është prerë keq”. Shpresova që të ishte veç plagë. Mora një shok tjetër që ishte në vend ngjarje. “Mbaroi!” me tha me zë të fikur. Nuk më bënë këmbët të ngjitesha në shtepi. Njoftova një shok të vjetër që u trondit po aq. Desha ta ndaja gjëmën, nuk e mbaja dot vetëm. Mu kujtua kur u ndamë në drekë me një mirupafshim, mu kujtua kafja e fundit tek Hotel Kotoni. Mu kujtua kur u ngjit në shkallët e drunjta mbi kokat e nxenësve që protestonin dhe të gjithë heshtëm ta dëgjonim në atë mëngjes shkurti 1991 në palestren e gjimnazit “Naim Frashëri” dhe nuk e pranoja që ai nuk do të vinte më…ishte shoku i parë i vjetër që nuk do të shihja më kurrë!