Dështon fillimi i rigjykimit ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

09.10.2017 14:03:15
Mungesa e të akuzuarit, Ilaz Susuri, është bërë shkak për mos fillimin e rigjykimit ndaj tij dhe të akuzuarit Faton Hoxha, për uzurpim të pronës komunale dhe të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Bedri Bytyqi e Bashkim Krasniqi.

Rigjykimi ishte paraparë të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, por mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Susuri, avokati Rasim Krasniqi, ka njoftuar trupin gjykues se klienti i tij, është i sëmurë dhe se i njëjti është shumë i moshuar, andaj nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim.

Me këtë rast, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, në mungesë të kushteve ligjore, ka shtyrë shqyrtimin për 1 nëntor 2017, në ora 10:00 dhe ka lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë për të akuzuarin Susuri.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I pandehuri tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa, i pandehuri Ilaz Susuri, akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Po ashtu, i pandehuri Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha, i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi.