Dhjetë barcoleta hebraike për të kuptuar shpirtin gazmor të hebrejve

24.11.2017 12:49:56

 

Kultura gjermano-hebraike është e pasur: ajo shtrihet së paku nga filozofi Moses Mendelssohn deri te Franz Kafka. Deri në vitin 1933 një e treta e nobelistëve gjermanë ishin me origjinë hebraike. Kjo botë nuk ekziston më, sepse e ka shkatërruar nazizmi. Por ka mbijetuar humori hebraik.

I. «Përse një hebre duhet t’i përgjigjet një pyetjeje përherë me një kundërpyetje? «E pse jo?»

II. «Një hebre çdo mbrëmje vinte në bar dhe porosiste dy uiski, të cilët i pinte njërin pas tjetrit. Njëherë kamerieri i habitur e pyeti se përse nuk po porosiste një uiski dopio. Mysafiri u përgjigj: <Miku im dhe unë jemi shokë lufte. Në një pritë pothuaj vdekjeprurëse ia kemi dhënë besën njëri-tjetrit se do të pimë vetëm bashkë, nëse shpëtojmë. Kësisoj, unë porosis përherë dy pije dhe ai e bën të njëjtën gjë disa mijëra kilometra më tutje>. <E kuptoj>, pëshpëriti kamerieri dhe shërbeu uiskin tjetër.

Disa javë më vonë mysafiri porositi vetëm një uiski. <Çfarë ka ndodhur>, pyeti kamerieri, <mos ka vdekur shoku juaj?> – <Jo, jo, shyqyr Zotit. Por shokët më kanë qortuar dhe thënë të mos pi më. Natyrisht ai mund të pi edhe më tutje>».

III. «Pyetje: përse hebrenjtë i kanë hundët aq të mëdha? Përgjigje: sepse ajri është falas».

IV. Në një udhëtim të gjatë nëpër fushat e Rusisë katër udhëtarë hebraikë i tregojnë të gjitha barsoletat që i dinë. Kur harxhohet rezervuari i barsoletave, ata vendosin që secilën barsoletë të treguar ta numërojnë, që pastaj vetëm të tregojnë numrin: 11, 24, 38… Në atë çast hebreu i pestë hyn në kupenë e trenit, dëgjon dhe thotë me krenari: <E mora vesh. 24!> Heshtje. <Çfarë u bë? Ju pak më parë qeshët shumë për barsoletën me numër 24>. <Po, po>, iu përgjigj hebreu që kishte përballë, <por atë barsoletë duhet të dini ta tregoni>».

V. «Përse Kaini e ka mbytur Abelin? Sepse ai s’ndalej së treguari barsoleta hebraike».

VI. «Në Bashkimin Sovjetik me vite të tëra një spiun përgatitet për t’u angazhuar në Izrael. Para se të fluturojë një oficer i KGB-së e porositi: shko në Tel Aviv në rrugën Dizengoff 21 dhe bjeri ziles te Kohn. Pastaj jepia atij kodin: <Banania ka rënë>.

Kur shkon te porta rusi ndalet i dëshpëruar: në tabelën e zileve janë katër hebrenj me mbiemrin Kohn. Çfarë të bëjë? Provon fatin dhe i bie pullës së parë. Kur jehon zëri i receptorit, agjenti pëshpërit: <Banania ka rënë>. Kohn përgjigjet menjëherë: <Ah, ju doni të flisni me Kohnin, spiunin. Kati i dytë, djathtas>».

VII. «Çka është një sionist? Njëri që i lutet të dytit për para për të dërguar të tretin në Izrael».

VIII. «Historia e botës do të kishte ecur krejt ndryshe nëse në kopshtin Eden të mos kishin banuar hebrenjtë (Adami dhe Eva mbase qenë të tillë), por kinezët, një popull po ashtu i lashtë. Ata nuk do e kishin ngrenë mollën, por gjarprin – dhe bota do të ishte kursyer prej shumë gjërave».

IX. «Zoti i do të varfrit, por u ndihmon të pasurve».

X. «Një hebre me yllin e Davidit në gjoks i thotë shokut të tij më 1938, pas <Natës së Kristaltë>: <Dua të tregoj një barsoletë të mirë: është viti 1960 dhe dy hebrenj zënë vend të lumtur në një kafene në Berlin>. <Ku është barsoleta?>, pyet shoku i hutuar. <Kjo ishte barsoleta>».

(Nga libri «Mos u bë aq i vogël, ti s’je aq i madh. Humori hebraik si mençuri, barsoletë dhe armë» të gazetarit të «Die Zeit» dhe profesorit Josef Joffe).