Dhurata Hoxha: Vendimmarrja për vizat nis në vjeshtë

20.07.2018 09:15:04
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se procedurat e mëtejshme të vendimmarrjes në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave do të nisin në vjeshtën e këtij viti. Ajo është shprehur e sigurt se procesi i liberalizimit të vizave me BE-në do të përmbyllet sivjet.

Pavarësisht se Komisioni Evropian (KE) publikoi para dy ditësh rekomandimin pozitiv për vizat, procesi i liberalizimit për Kosovën ende nuk ka përfunduar.

Përkundrazi, për të ardhur deri te heqja e regjimit të vizave duhet të jepet edhe “drita jeshile” e dy institucioneve të tjera të BE-së, Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Ministrave.

Teksa ka folur lidhur me këtë çështje, Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se procedurat e mëtejshme të vendimmarrjes në këto dy institucione do të nisin në vjeshtën e këtij viti.

Me këtë rast ajo është shprehur e vendosur se ky proces do të përmbyllet sivjet.