Donald Trump zgjidhet presidenti i SHBA-ve: Të marrim në dorë fatet e vendit

09.11.2016 10:25:09

I mposhti të gjithë, fillimisht republikanët tradicionalë në garën brenda partisë së tyre, e më pas edhe demokratët në zgjedhjet presidenciale. Ky është Donald Trump, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Manjati njujorkez i pasurive të paluajtshme ka befasuar me rezultatin e arritur duke siguruar 288 vota elektorale.  “Sapo mora një telefonatë urimi nga Hillary Clinton, – tha Trump pas daljes në podium. – Eshtë momenti të bashkohemi dhe të shërojmë plagën e ndarjes, është momenti të marrrim fatin tonë në dorë. Do të jem presidenti i të gjithë amerikanëve”, – shtoi ai.

Por përveç marrjes së Shtëpisë së Bardhë, republikanët marrin kontrollin edhe të Senatit dhe të Kongresit në Amerikë. Donald Trump do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2017 pas votimit në Kongres.

“Do të kërkojmë aleanca dhe jo konflikt në botë. SHBA-të do të mbështesin të gjithë ata që do të jenë dakord me politikën tonë, – tha Trump në fjalimin përshëndetës pas shpalljes si president i SHBA. – Duke punuar së bashku do të ndërtojmë kombin tonë për të vijuar ëndrrën amerikane. E jona nuk ka qenë një fushatë, por një lëvizje e pabesueshme e ndërtuar nga miliona gra dhe burra që punojnë fort për vendin e tyre dhe që duan të ndërtojnë një të ardhme pë familjet e tyre. Një lëvizje e formuar nga amerikanë të të gjitha racave e besimeve dhe besoj që duan të respektojnë qeverinë tonë që është në shërbim të popullit.”