Donte të vriste 3 persona në lokal, arrestohet në kohë 35-vjeçari

25.04.2017 13:09:59

Policia e Korçës  kap dhe arreston në flagrancë një shtetas, i cili kishte planifikuar të vriste tre persona të tjerë, me të cilët kishte konflikte të hershme. Arrestohet gjithashtu edhe një bashkëpunëtor i dyshuar i tij.

 

Në pranga ka rënë shtetasi  Lorenc Kuqo, 35 vjeç banues në fshatin Rëmenj, me precedent të mëparshëm në krime kundër personit. Në vijim të këtij rasti u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit  N.M, 31 vjeç, banues në Pogradec,  i cili dyshohet se mund të ishte bashkëpunëtor i tij.

Arrestimi i Kuqos u bë pasi ky shtetas, pas disa konflikteve të mprehta për motive të dobëta me shtetasit L.T., dhe dy nipërit e tij shtetasit D.M dhe E.M, raste të cilat janë ndjekur dhe dokumentuar në periudha të ndryshme kohore nga Policia, ka  patur si synim t`i vrasë këta të fundit.

Ndërhyrja në kohë e Policisë, ka bërë të mundur parandalimin e kësaj ngjarje të rëndë, e cila ishte planifikuar të realizohej në një lokal, çka mund të rrezikonte jetën edhe të personave të tjerë frekuentues të lokalit. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua një armë tip automatik kallashnikov, një automjet tip “Volkswagen Passat”, një kapuç (maskë) si edhe 5 telefona celularë. Shërbimet Policore po vijojnë me kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, në përfundim të të cilave do t`iu përcjellim edhe informacion të plotë.