Durrës, sekuestrohen 30 kg heroinë

09.12.2016 10:14:56

Një sasi prej 30 kg heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit. Droga ishte e ndarë në 52 pako dhe ishte fshehur në një kamion me destinacion shtetin fqinj Italinë, ndërsa në pranga është vënë drejtuesi i kamionit Aurel Kryemadhi 45 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në kamionin tip Skania, me targa AA 618 JR dhe rimorkio ADR 186, shërbimet e policisë kanë dyshuar se në brendësi të mjetit mund të kishte lëndë narkotike.

Menjëherë, kamioni është shoqëruar për tek skaneri, ku ka rezultuar se në tavanin e karrocerisë kishte disa pako. Specialistët e Narkotikëve kanë ushtruar kontroll të imtësishëm dhe kanë gjetur 52 pako me peshë rreth 30 kg heroinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale”Trafikimi i narkotikëve” e mbetur në tentativë .