Dy femra në mesin e kompanisë shqiptare në Afganistan

11.12.2016 15:15:46

Kontingjenti i nisur është pjesë e kompanisë “Puma” të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe dy femra

Forcat e Armatosura Shqiptare nisën në operacionin e NATO-s në Afganistan “Resolute Support Mission”, kontingjentin e parë të batalionit të dytë të këmbësorisë, i cili do të shërbejë në Herat, nën komandën e FA italiane, bën të ditur mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kontingjenti i nisur është pjesë e kompanisë “Puma” të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe dy femra.

Ky kontingjent do të shërbejë në Komandën e Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në Herat të Afganistanit për një periudhë 6-mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane.

Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit shqiptar ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ambasadori i Republikës së Italisë Alberto Cutillo, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, deputeti Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.