E çuditshme dhe e pashpjegueshme: Krerët e shtetit heshtin për sulmin ndaj Agron Mustafës

30.12.2017 23:55:45

Sot, në pikë të ditës, te “Qafa” në Prishtinë u sulmua dhe u rrah drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa. Mustafa u sulmua nga dy policë, Arben Berisha i njohur si Tarkani dhe Nazim Sahiti, shef i Krimeve Ekonomike dhe Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës.

Mustafa në një konferencë për media tregoi se ka marrë lëndime trupore, derisa shtoi se sulmi ndaj tij ishte i përgatitur. Ai tha se nuk i dinë arsyet e këtij sulmi dhe se me të dyshuarit njihet.

Ky sulmi ngjalli reagime të shumta në opinionin publik, duke e vlerësuar të papranueshëm.

Megjithatë, çuditërisht asnjë nga krerët e shtetit nuk ka reaguar deri me tash (ora shënon 23 e 25 minuta), edhe pse sulmi ka ndodhur në orën 13, shkruan lajmi.net.

Agron Mustafa është zyrtar i lartë shtetëror, pasi që Telekomi i Kosovës është Ndërmarrje Publike.

As presidenti Thaçi, as kryeparlamentari Veseli dhe as kryeministri Haradinaj nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë sulm. Pra, krerët e shtetit duket “sikur janë pajtuar në heshtje”, meqë të paktën që do të duhej të bënin do të ishte dënimi i sulmit.

Më herët kemi parë se treshja e shtetit, pa marrë parasysh cilët kanë qenë ata, reagonin pas çdo sulmi të tillë jo vetëm në Kosovë, por edhe më larg. Mirë bënin që reagonin, megjithatë heshtja e sotme duket tepër e çuditshme.

Dënim të sulmit ndaj Mustafës nuk ka pasur as nga opozita. Kanë qenë 2-3 zyrtarë të nivelit të ulët të VV-së dhe LDK-së që kanë shkruar në Facebook, megjithatë qëndrim zyrtar nuk ka pasur.

Shtrohet pyetja, nëse krerët e shtetit nuk paskan qenë në rrjedhja për sulmin se mund të jenë në ndonjë pushim “e nuk kanë qasje në internet”, çfarë bëjnë dhjetëra këshilltarët e tyre që nuk ua “qesin ndërmend” se duhet të reagojnë?!

I vetmi që ka reaguar deri më tash ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili vetëm pas orës 23 e ka lëshuar një reagim në Facebook ku shkruan se do të merren masa ndaj policëve që sulmuan drejton e PTK-së.