E marta sportive në Supersport

04.04.2017 08:52:19

Një Martë si kurrë më parë në ekranin e Supersport. Mesjava ndizet me derbin e qytetit të përjetshëm por edhe me ndeshje të tjera shumë intersante në kampionatet më të rëndësishme europiane. Rikthehet Kupa e Italisë, rikthehet Roma-Lazio. Në Olimpico mbrëmjen e sotme do të zhvillohet akti i dytë i derbit të kryeqytetit italian sfidë në të cilën do të përcaktohet edhe skuadra e parë finaliste e këtij edicioni të Kupës së Italisë. Luhet gjysmëfinalja e kthimit dhe Romës i duhet të përmbysë humbjen 2-0 të sfidës së parë  për të sfiduar me shumë mundësi Juventusi që është i favorizuar ndaj Napolit në finale. Misioni për verdhekuqtë e Luciano Spalletit nuk do të jetë aspak i thjeshtë sepse Lazio e Simone Inzaghit është një skuadër që meriton respekt dhe që deri tani ka zhvilluar një sezon fantastik. Te bardhakaltërit Thomas Strakosha do të luajë një tjetër derbi si titullar, ndërsa Roma përvec Florenzit të dëmtuar prej kohës nuk do të ketë të gatshëm as mesfushorin Daniele De Rossi.

Në Premier League mbrëmjen e kësaj të Marte luhet një duel vërtetë intrigues. Manchester United pret në Old Trafford, Evertonin në një sfidë direkte për kualifikimin në kompeticionet europiane. Djajëve të Kuq u rikthehen në dispozicion dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Zlatan Ibrahimovic dhe Ander Herrera. Të dyja skuadrat vinë nga dy rezultate jo të mira, Evertoni u mund në derbin ndaj Liverpoolit, ndërsa United barazoi në shtëpi ndaj West Bromwich Albion, kështu që si skuadra e Jose Mourinhos ashtu edhe ajo e Ronald Koeman do të kërkojnë të bëjnë autokritikë sot.

Në Spanjë, luhet java e 30-të e La Ligas që nis me sfidën e San Mames mes Athletic Bilbaos dhe Espanyol-it, për të kaluar më pas te ndeshja e orës 21.30 mes Atleticos së Madridit dhe Real Sociedad-it. Skuadra e Diego Simeones në Vicente Calderon synon suksesin e rradhës pasi me një fitore ndaj një rivali direkt si Real Sociedadi do të hidhte një hap të sigurtë drejt kualifikimit në Champions League sezonin e ardhshëm.

Në Supersport nuk mungon as Bundesliga që vjen me tre ndeshje shumë të bukura. Hoffenheimi surpriza e vërtetë e këtij sezoni pret në shtëpi Bayern Munich që po shkon drejt titullit të 5-t kampion rradhazi. Miqtë kanë shumë mungesa pasi pjesë e kësaj ndesheje nuk do të jenë portieri Neuer, mesfushori Thiago Alcantara por edhe Douglas Costa e Thomas Muller dhe nga ky fakt do të kërkojë të përfitojë skuadra e Julian Nagelsmann. Pas barazimit në derbin ndaj Schalkes do të kërkojë të rikthehet te firoja Dortmundi që pret në shtëpi Hamburgun e Mërgim Mavrajt, ndërkohë një ndeshje që pritet të prodhojë gola dhe spektakël mund të jetë edhe ajo mes Werder Bremen-it dhe Schalke 04. /supersport.al/