Edi Rama shuan ëndërrën për t’u bërë një Charles de Gaulle i Ballkanit

15.10.2016 12:14:53

Nga Enver Bytyçi

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar zyrtarisht rreth përpjekjeve të kryeministrit të Shqipërisë për të marrë rolin e protagonistit dhe ndërmjetësit në të ashtuaquajturën “zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb”. Ai ka thënë dje shprehimisht se Kosova e ka mbështetjen amerikane dhe europiane, ndërsa marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë thjesht marrëdhënie biletarale, të cilat nuk kanë të bëjnë me Kosovën, duke larguar çdo hamendësim se Edi Rama mund të flaës në emër të Kosovës. Një ditë më parë presidenti Thaçi thumboi gjithashtu zotin Rama, kur në një emission televiziv paralajmëroi se “Normalizimi i marrëdhenieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por përmes Prishtinës”, duke paralajmëruar se Tirana zyrtare nuk mund ta përfaqësojë Prishtinën në marrëdhëniet e saj me Beogradin. Ky reagim I Prishtinës zyrtare erdhi pak vonë e mbasi liderët politikë e shtetërorë të Kosovës, përveç atyre të Vetëvendosjes, u lodhën me përçmimin e kryeministrit të Shqipërisë, të lënë gjithnjë në paradhomat dhe oborret e prapme, në pritje të bisedimeve dhe marrëveshjeve Rama – Vuçiç. Një konfrontim të tillë e kam parashikuar që në tetor të vitit 2014, kohë në të cilën kisha parashikuar se Edi Rama në marrëdhëniet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte dy qëllime: Të rekordonte veprimin e përbashkët shqiptaro – serb për promovimin e zotit Rama si një lider nacionalist në sytë e Prishtinës dhe kësisoj, duke forcuar pozitat e tij nacionaliste te shqiptarët e Kosovës të kishte mundësi që të merrte Ai, si Charles de Gaulle me Gjermaninë, iniciativën dhe barrën e “pajtimit shqiptaro-serb”. Për ta realizuar këtë mision, aq shumë të dëshiruar në Beograd nga të gjitha garniturat nacionaliste e “liberale” të Serbisë, zoti Rama fillimisht kishte nevojë për një imazh patriotizmi në sytë e shqiptarëve kudo në Ballkan e nëpër botë e sidomos në sytë e Kosovës. Për këtë pati edhe mbështetjen e partisë radikale “nacionaliste” të Vetëvendosjes në Prishtinë, por u pa me spekticizëm nga aktorët dhe faktorët e tjerë politikë në Kosovë. Pas krijimit të imazhit të një nacionalisti, kryeministri shqiptar kishte planifikuar që të fliste e madje të nënshkruante marrëveshje politike, ekonomike, e ndoshta një traktat miqësie me Serbinë në emër të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht si përfaqësues i Shqipërisë Londineze. Kishte ëndërruar që këto marrëveshje e traktate t’i nënshkruante së bashku me homologun e tij serb, Vuçiç, duke patur mbi kokë e prapa shpine, në këmbë e gatitu, presidentin dhe kryeministrin e Kosovës. Garant të kësaj maskarade antishqiptare ishin tashmë dy miqtë e ngushtë të zotit Thaçi, Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi. Prandaj dhe këta të dy u bënë njerëzit më të besuar e të respektuar në Kosovë, ndërkohë që zoti Rama sillej me Thaçin e Mustafën si me Mimin e Babaramon. Dhe gjithçka nisi me 14 tetor 2014. Sot dy vite më parë u luajt ndeshja e futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, ndërsa një dron me flamurin e Shqipërisë etnike dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit u lëshua në stadiumin e Beogradit. Ishin zgjedhur dy figurat symbol të patriotizmit shqiptar të kornizuar si të tillë pamëdyshje nga diktatura komuniste, ndoshta dhe për faktin se përveçse patriotë, ata ishin gjithashtu simboli i bashkëpunimit në jug me Greqinë dhe në veri me Serbinë. Në tribunën e atij stadium asokohe nuk ishte kryeministri Rama, por vëllai i tij, Olsi. Ndërsa i pranishëm ishte presidenti serb, Nikoliç. Flamuri u lëshua nga çatia e kishës përbri stadiumit nga Ismail Morina (Ballisti) në minutën e 42-të të ndeshjes. Kaq u desh dhe tifozët serbë u lëshuan me furi kundër lojtarëve të kombëtares tonë, duke shkaktuar jo vetëm ndërprerjen e ndeshjes, por ndëshikimin përfundimtar të kombëtares serbe me humbjen e tre pikëshit, jo për shkak të dronit, por për shkak të dhunës që tifozët nacionalistë serbë ushtruan kundër lojtarëve të Shqipërisë. Ai moment e bëri Ismail Morinën heroin e kohës, ndërsa Olsi Rama u bë personazhi kryesor, me të cilin mediat e Beogradit spekullouan e intriguan se “ishte autori i hedhjes së dronit e provokacias”, duke dhënë mesazhin se e gjithë ajo që u bë atë natë në Beograd ishte vepër e një skenari që drejtohej nga kryeministri problematik i Shqipërisë, Edi Rama. Por që kryeministri ynë të merrte rolin e personazhit hero, do të duhej që lojtarët tanë të kombëtares të sakrifikonin, të duronin shkopinjtë dhe sulmet çnjerëzore të nacionalistëve tifozë serbë. Ky skenar tashmë duket se ishte i njohur për Beogradin, qeveria e të cilit lejoi që një dron i tillë ta paraqiste Shqipërinë si faktor destabilizimi në rajon. Nga vështrimi i sotëm duket gjithashtu se ndërsa Edi Rama kishte nevojë për protagonizëm në rolin e heroit, Aleksandër Vuçiçit i duhej fytyra prej engjëlli, me të cilën donte të prezantohej në Europë. Dhe të dy këta, duke ditur për çfarë kishin nevojë, u pajtuan me dronin, e përdorën Ismail Morinën, ndërsa ai i ngrati nuk dinte asgjë për skenarët e politikës së përbashkët Serbi-Shqipëri dhe gjithçka e bëri si një akt heroizmi e patriotizmi në shërbim të atdheut të tij. Aso kohe kisha paralajmëruar se gjithë skenari i datës 14 tetor si dhe ajo që ndodhi midis dy kryeministrave gjatë vizitës së parë në Beograd, një muaj më vonë, ishte i mirëmenduar dhe mirinskenuar. Kam thënë në ekrane televizive e komentet e mia se ky skenar ka një qëllim të caktuar, tërheqjen e kryministrit të Shqipërisë në rolin e interlokutorit për zgjidhjen e të ashtuquajturit “konflikt shqiptaro-serb” dhe përmes kësaj injorimi, zhvleftësimi dhe denigrimi i institucioneve të Kosovës. Për ta arritur këtë i duhej imazhi i nacionalistit, gjë që atij i mungon. Droni ishte një gjetje. Pastaj do të vinte spektakli i përplasjes para kamërave televizive me kryeministrin serb për Kosovën. Deklarata urdhëruese e Ramës për njohjen e Kosovës nga Serbia zuri vend në shumë njerëz në Kosovë. Por politika dhe intelekti i Prishtinës, ndonëse pak vonë dalluan hipokrizinë dhe hijet që lëshoheshin në Hintergrund. Nuk do të ndalem në argumentin pse liderët politikë të Shqipërisë nuk do të duhet asnjëherë të marrin përsipër “pajtimin me Serbinë”, ose ta ndërmjetësojnë këtë proces, sepse këto janë thënë e stërthënë. Ajo çfarë ne sot duhet ta shohim me sy të kthjellët ka të bëjë me kallajin e dalë bojet në marrëdhëniet personale e jopersonale midis kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Protagonizmi i tyre, etja për lavdi, egoja për pushtet, rendja pas “misioneve të pamundura” u shndërruan dita-ditës në një proces denigrimi dhe përqeshjeje. Të dy këta, ndonëse ndihëmojnë njëri-tjetrin në formën e provokacias reciproke për të fituar kapital politik e elektoral në vendet e tek popujt e tyre, kanë filluar të demantohen dhe të shpalosin hapur qëllimin në nisje të këtij teatri absurd. Kurthi i Beogradit me dronin e 14 tetorit 2014 u shmang në takimin e pas dy viteve po në Beograd si dhe në Nish. Për shqiptarët në Kosovë takimi në Nish i dy qeverive, asaj të Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, u konsiderua si një kurth, si një thikë pas shpine për Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e saj. Ndaj reagoi presidenti Thaçi si dhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj. Por mediat zbuluan gjithashtu se keryetari i Dhomës së Tregëtisë së Kosoës, Safet Gërxhaliu, ka refuzuar një ftesë të organizatorëve për të marrë pjesë në takimin e Nishit. Përpjekja për të marrë në Nish si përfaqësues të Kosovës Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë ose më së shumti një zv.ministër të pushtetit lokal, ishte kurthi i organizuar nga Rama dhe Vuçiç, me qëllim shmangjen e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës, përkatësisht të kryeministrit Mustafa. Serbët këtë shmangje do ta lexonin si nosnjohje të asaj që ata e quajnë “qeveri e vetëshpallur e Kosovës”. Dhe në këtë shërbim ishte implikuar edhe Edi Rama, i gatshëm që në Nish, në Beograd e kudo të fliste në emër të Kosovës për projektin “madhështor” të “pajtimit shqiptaro-serb”. Për këtë arësye liderët shtetërorë në Prishtinë refuzuan të bëhen pjesë e një spektakli promovues për politikat antishqiptare të Serbisë në Kosovë, politikë e cila gjeti përkrahjen e kreut të ekzekutivit të Shqipërisë. Në këtë aspekt Nishi dështoi. Zoti Rama nuk guxoi ta përmendë më projektin e tij të madh “Autostrada Nish-Durrës”, me të cilin donte të shfaqej si kryeministri i “projektit më të madh në histori” dhe si kryeministër që “po bënte atë që nuk ishtë bërë në 25 vite të marrë së bashku”. Butaforinë e tij e shfryu kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu. Ndaj Rama në Nish u detyrua të flasë përçart dhe nga inati i shqiptarëve të Kosovës të citojë shkrimtarin serb të projekteve shfarosëse antishqiptare, Ivo Andriç. Me këtë ai ndezi reagime të ashpra në Kosovë. Studiuesi i njohur Milazim Krasniqi shkroi se “Kulmi i turpit të Edi Ramës është të cituarit e Ivo Andriqit, projektuesit të zhbërjes edhe të Shqipërisë! Edhe ky rast tregon atë që dihet moti: Politika pa mendim të përpunuar është si shpupurishja e pulave në pleh, tek kërkojnë qorrazi ndonjë kokërr. Në rastin më të keq, bëhet si shkërryerja e derrave në një baltovinë”. Ndërsa botuesi i gazetës më të madhe kosovare, “Express”, gazetari Berat Buxhala, u deklarua më ashpër, duke tërhequr vëmendjen në formën e një lutjeje gati fyese për kryeministrin e Shqipërisë. “Kryeministri Rama paska fluturu për në Beograd, për me u taku me Vuçiçin. Në shkrim po thuhet që kanë me diskutu për “raportet shqiptaro – serbe”. Amani të koftë mos fol në emën temin, nëse ka mundësi. Edhe një socialist tjetër, para teje, Nano, e pat taku Millosheviçin në Kretë, në vitin 1997, për me diskutu për raportet shqiptaro – serbe. Pas takimit tha, atëbotë: Kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës është Beogradi. Rri bre Edi. Nuk e njeh Kosovën ti. Lidhje nuk ki me Kosovën ti. Pse po don me e bo çorap krejt punën. Merru me kanabis. Me plehra. Nuk kemi nevojë për avokat në këtë fazë. E posaçërisht jo për një avokat që i thotë Aleksandër Vuçiçit “mik””. Ky ishte reagimi i datës 13 tetor i zotit Buzhala, kur Rama mori pjesë në një konferencë shqiptaro-serbe për sigurinë në Beograd dhe po aty promovoi librin e tij të botuar serbisht “Kurbani”. Edhe në këtë libër ai u dha serbëve provën e dëshmisë së tij se kreu i mazhorancës, dikur në krye të opozitës, pra Edi Rama, kishte zbatuar pikë për pikë kërkesat e elaborateve të Gjorgjeviçit, Cvijiçit, Çubrolloviçit, Pashiçit, Andriçit, Qosiçit për ta mbajtur gjithnjë me arësye e pa arësye të tensionuar konfliktin politik në Shqipëri. Kjo dëshmi lexohet në të gjitha faqet, rrjeshtat, fjalët dhe gërmat e librit të zotit Rama, ku thuhen një milion të zeza për lidershipin shqiptar, ndërkohë që bisedon tri herë në ditë në takime formale e informale me mikun e tij, kryeministrin Vuçiç. Në takimin për sigurinë mbajtur në Beograd ai kërkoi dhe njëherë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe tha se Trepça është një problem ekonomik. Me këto dy kritika ndaj Beogradit Rama besoi mesa duket se “e zgjidhi problemin e sigurisë në rajon”. Shkëmbeu me kryeministrin serb edhe ndonjë batutë në linjën gjeopolitike, duke lënë të kuptonte se Shqipëria ishte aleat i Perendimit, ndërsa Serbia i Moskës. Por nuk përmendi dhe nuk kërkoi që Beogradi të ndalonte provokimet e shumta ndaj Kosovës me qëllim shkatërrimin e arritjes më të madhe të saj, pavarësisë. Nuk e di pse në Nish përdori batutën tjetër të tri rreziqeve: Bombave të NATO-s, tankeve ruse dhe administratës së Serbisë. Lidhje nuk kishin këto me njëra-tjetrën. Megjithatë shtypit beogradas i tërhoqi vëmendjen kollarja me kryq e zotit Rama dhe u bënë përpjekje që me anën e simbolit të kollares të nxirret ai disi nga sikleti që kishte për t’u përballur me kritikat e bashkëkombasve të tij. Edhe në këtë rast në Beograd u bë kujdes që të ruhet miku u Vuçiç. Gjithë kjo maskaradë e propaganduar dhe e fryrë plasi shpejt si një flluskë sapuni. Ndodhi kjo, sepse zoti Rama nuk shihet më te shqiptarët si një personalitet politik serioz dhe i sinqertë. Pas çdo fjale të tij njerëzit e ditur gjejnë një lloj kurthi bizantin. Në Shqipëri qytetarët u mësuam me karagjozllëqet e Edi Ramës, por ende disa prej tyre ndjejnën nevojë e dëshirë të zjarrtë të dëgjojnë mashtrimet brilante të liderit tonë të madh. Ndërsa në Kosovë nuk ka asnjë arësye që të merren në konsideratë fjalët e aq më pak inciativat e Edi Ramës. Që ditën e parë të mbretërimit të Ramës shqiptarët e Kosovës kishin simpati për kryeministrin shqiptar, aq sa kanë për Baton Haxhiun dhe Shkëlzen Maliqin. Por pas dy vitesh prej se Droni fluturoi në qiellin e Beogradit duket se Edi Ramës i kanë mbetur në Kosovë më pak kredite sa ç’kanë veç e veç Batoni e Shkëlzeni. Droni shërbeu si mjet promocioni patriotizmi për Edi Ramën, ndërsa citimi i Andriç dhe dëshmitë në librin “Kurbani” të botuar në Beograd për lexuesit serbë e fundosën atë në batakun e politikanëve të papërgjegjshëm shqiptarë duke nxjerrë në shesh hipokrizinë e iniciativës së tij për “pajtimin e madh shqiptaro-serb”. U shua dhe ëndërra për të qenë Konrad Adenauer ose Charles de Gaulle.