Edi Rama thotë se çdo president amerikan do të jetë “gjithnjë mbi Perëndinë”!

02.07.2017 19:03:34

Para se Donald Trump të zgjedhej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thoshte se “Trump është fatkeqësi për Amerikën”. Madje, Rama kishte vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Por tash, kur ka marrë mandatin e dytë si kryeministër të Shqipërisë, ai ka ndryshuar fjalët për Trumpin.

Për deklaratat e mëparshme të tij, Rama është “ngacmuar” nga gazetarja e televizionit francez “France24”, e cila pasi ia rikujtoj deklaratat për Trumpin, ironizoi duke thënë se vendimi amerikan u prit mirë në Shqipëri, aq sa i kanë vënë emrin një rruge.

“Në Shqipëri u prit mirë zgjedhja e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje ka pasur dhe rrugë me emrin e tij në Tiranë. A jeni ju i lumtur për këtë”, u shpreh gazetarja.

“Kushdo që do të zgjidhet President i SHBA-ve, ai do të jetë gjithnjë mbi Perëndinë përsa i përket popullaritetit. Ju duhet të kuptoni që për 50 vjet kemi jetuar në një regjim që na thoshte se SHBA është vetë djalli dhe molla e ndaluar. Ne donim kaq shumë që ta blinim këtë mollë që na ishte e ndaluar sa që regjimi e ka bërë këtë punë falas për SHBA-në. E bëri SHBA-në praninë më të dashur e të besueshme në botë”, deklaroi Rama.