Efikasitetit i sistemit gjyqësor mbetet sfidë për Kosovën

03.03.2017 12:09:50

Bashkimi Evropian ka lansuar projektin e binjakëzimit IPA 2014 me moton “Fuqizimi i efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”.

Me këtë rast u tha se pamjaftueshmëria e efikasitetit në sistemin gjyqësor mbetet sfidë për Kosovën. Objektivat e këtij projekti janë që të kontribuohet në sundimin e ligjit në vendin tonë duke forcuar pavarësinë, efikasitetin, cilësinë dhe llogaridhënien dhe sistemit prokurorial të Kosovës.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se është moment madhështor që po fillohet ky projekt.

“Objektiva e themelimit të sistemit llogaridhënës është i rëndësishëm. Pamjaftueshmëria e efikasitetit të sistemit gjyqësor mbetet sfidë për Kosovën dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë që t’i kthehet besimi i gjyqtarëve në sistemin gjyqësor, sidomos te minoritetet. Përmes këtij projekti do të ndihmohet Kosova që të rrisë efikasitetin”, tha Apostolova, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, theksoi se ky projekt është në përputhje të objektivave të MD-së për të ndërtuar politika.

Funksionimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përputhje me standardet demokratike dhe profesionale, vuri në dukje ministrja, është vital për përforcimin e sundimit të ligjit me përfitime të menjëhershme për publikun, por gjithsesi është edhe qenësor për bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Ajo theksoi se me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, ministria që drejton ajo është duke punuar në disa drejtime.

“Jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme për të filluar me procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, i cili do të rezultojë me një strategji gjithëpërfshirëse për tërë sektorin e sundimit të ligjit”.

“Kemi planifikuar plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të pakos së gjyqësorit, përfshirë fuqizimin e mekanizmit për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Jemi në proces të plotësim ndryshimit të legjislacionit penal dhe kundër korrupsionit, përfshirë rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me suspendimin e zyrtarëve të lartë publik të përfshirë në raste korruptive”, ka theksuar Hoxha.

Ministria e Drejtësisë është duke bashkërenduar veprimet në hartimin e politikave dhe ligjeve me zhvillimet në sistemin gjyqësor e prokurorial të Kosovës.

“Disa nga çështjet madhore aktuale janë: Përfundimi i decentralizimit të shërbimeve nga KGJK në Gjykata, implementimi i projektit të financuar nga Qeveria Norvegjeze për Menaxhimin e lëndëve, zvogëlimi i numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe atyre të pa-ekzekutuara, avansimi i sistemit të statistikave sipas standardeve të BE-së, fuqizimi i profesioneve të lira ligjore dhe përmirësimin e marrëdhënieve me publikun me qëllim të rritjes së transparencës dhe besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ky projekt do të zgjasë 30 muaj që kap një shumë prej 3 milionë euro. Projektet e binjakëzimit kanë për qëllim të ofrimit të mbështetjes për transferimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së.