Martesa me interes e Serbisë me BE-në

03.03.2017 12:01:23

Negociatat e Serbisë me Bashkimin Europian ecin ngadalë. Beogradi lëvdon veten, ndërsa BE shprehet e përmbajtur. Në këtë kontekst e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Mogherini viziton Beogradin.

Zyrtarisht qëndrimi i Serbisë i përgjigjet politikës së BE-së. “Duam ta shohim BE si një partner serioz, jo sikur gjejmë një pako dhuratash, e gjithçka pastaj zgjidhet – rroga më të mira, vende pune, më pak papunësi”, thotë në një intervistë me DW ministrja për Administratën Publike dhe Vetëadministrimin Lokal, Ana Brnabbic.

Por realisht rruga drejt BE-së është shumë më e vështirë. Nga fillimi i vitit 2014, kur filluan negociatat janë trajtuar vetëm 8 nga 35 kapituj, dhe vetëm dy kapituj, ata që trajtojnë shkencën dhe kulturën konsiderohen të mbyllur. Me këtë tempo Serbia do të ishte e gatshme për BE vetëm nga viti 2025 deri në 2030. Kësaj i shtohen tema të vështira si Kosova .

Kosova dhe dashuria për Rusinë

Në këtë çështje, Beogradi mbetet gjithmonë gati një veprim prorus: Herë organizohet një paradë ushtarake serbo-ruse, herë i dhuron Moska Serbisë avionë ushtarakë të vjetëruar. Duket se balanca Perëndim-Lindje është esenciale për ruajtjen e linjës politike të Beogradit për Kosovën. Në një kohë kur SHBA dhe 23 vende të BE-së e njohën shpejt Kosovën, Moska pengon me veton e saj pranimin e Kosovës në OKB. Mbështetja ruse e kthen politikën bllokuese të Beogradit në shqetësim për BE.

Vërtet që Prishtina dhe Beogradi negociojnë nën drejtimin e BE-së në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve, por të dyja palët kanë qëndrime të kundërta në këtë drejtim. Për Beogradin nuk është ekzistent “shtetësia e vetëshpallur e Kosovës”, për Prishtinën njohja e shtetit nga ana e Beogradit bën pjesë tek qëllimet kryesore të dialogut. Nga ana tjetër Serbia refuzon të pranojë negociatat e BE-së kundër Rusisë të vendosura për politikën e saj në Ukrainë. Si Moskën edhe Brukselin – kjo është një konstante e politikës së jashtme të qeverisë nacional-konservatore të kryeministrit, Aleksander Vuçiq. Por dashuria jo kritike për “Kosovën serbe” dhe Rusinë mbeten pengesa të qarta në rrugën europiane të Serbisë. Më së voni në hapjen e kapitullit 31, politika e jashtme dhe e sigurisë, kjo temë do të jetë në qendër të bisedimeve.

Zhvillim ekonomik i pashpresë

Kësaj i shtohet edhe dobësia ekonomike e Serbisë. Dušan Reljić nga Fondacioni gjerman “Shkenca dhe politika” paralajmëron prej kohësh, nëse gjashtë vende ballkanike (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia) i lihen ekonomikisht fatit. Ata vetë nuk janë të gjendje të prodhojnë rritje ekonomike të konsiderueshme, mendon ai. “Një llogaritje e Bankës Botërore thotë se edhe sikur këto vende të kishin një rritje ekonomike 6% ato do ta arrinin nivelin mesatar të BE-së në vitin 2025 -kjo me kusht që vendet e BE-së të mos kenë rritje ekonomike”, thotë eksperti Dušan Reljić. Propozimet e tij për përqasje të menjëhershme të këtyre vendeve në fondet e ashtuquajtura të kohezionit të BE-së, nuk kanë për të gjetur miq në Bruksel. BE pas Brexit lufto për mbijetesën e vet.

Orbanizimi i Serbisë

Në raportin e fundit të Amnesty International gjenden disa të dhëna për vështirësitë e ardhshme të Beogradit në negociata. Shembull për arbitraritetin e organizuar shtetëror dhe ndikimin politik të drejtësisë e policisë është rasti “Savamala”. Një grup personash me maska paramilitaristë sulmoi në një natë prilli të vitit të kaluar disa banorë dhe pronarë dyqanesh në lagjen “Savamala”. Qytetarët e sulmuar dhe imobiliet e tyre ishin pengesë për projektin prestigjioz të qeverisë -për lagjen elitare Beogradi në ujë. Me qëllim që investitorët arabë të projektit të mos merren me rrugën e vështirë e të shtrenjtë të shpronësimit, u udhëzua shkatërrimi i shtëpive. Megjithë telefonatat në panik të banorëve, policia qëndroi në rajon.

Një gazetare bëri lidhjen e pasivitetit të policisë me përgjegjësinë e ministrit të Brendshëm. Drejtësia serbe, shpesh e ngadaltë, këtë herë reagoi me shpejtësi dhe e dënoi gazetaren dhe gazetën e saj me gjobë. Gjashtë rroga mujore (rrethn 2400 euro) kushton në Serbi pohimi i asaj që nuk duhet të thuhet. Raporti i progresit të KE-së pohon se për vitin 2016 vendi nuk shënon progres në drejtim të lirisë së shprehjes dhe luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë Brukseli lëvdon përpjekjet për reforma të Serbisë, duke  e lidhur kritikën me gjuhë diplomatike. Serbia zyrtare dhe BE janë si një martesë me interes. Brukseli ka nevojë për stabilitetin në Ballkan dhe për sa kohë që Aleksander Vuçiq është i pakundërshtueshëm në vendin e vet dhe tregon gatishmëri për bisedime me Kosovën, formëson në mënyrë të moderuar politikën e refugjatëve, përsërit “kurrë më luftë” -atëherë Brukseli nuk ka pse ta demaskojë atë si një autokrat egoist. Nga ana tjetër Serbia lidh me BE një shpresë të vakët për më shumë mirëqenie. BE si karota, qeveria qerbe si shkopi – sa kohë që është kjo ndarje Brukseli ja rrezik që të shihet nga shumë qytetarë si bashkëpunëtor i kryeministrit. Këtë dyshim duhet të shpërndajë e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini në vizitën në Beograd. Mediat serbe afër qeverisë e paraqesin vizitën e Mogherinit si një ndihmë e dëshiruar për fushatën elektorale serbe që përfundon me zgjedhjet e 2 prillit.