Policia e Mitrovicës shton masat e sigurisë

03.03.2017 11:42:27

Në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor, Njësia e Trafikut Rajonal në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, gjatë muajit shkurt ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në trafikun rrugor, përmes implementimit të planit operativ ’vendosja e rripit të sigurisë’.

Masat e shtuara vijnë si rrjedhojë dhe domosdoshmëri, ku sipas vlerësimeve të bëra një ndër faktorët e pasojave me lëndime dhe me fatalitet në aksidente konsiderohet mosvendosja e rripit të sigurisë.

Andaj, veprimet e shtuara operacionale kanë për qëllim identifikimin dhe marrjen e masave ndaj të gjithë kundërvajtësve që nuk e vendosnin rripin e sigurisë në automjet, si rezultat i kësaj për muajin shkurt janë shqiptuar mbi 250 gjoba, për mosvendosje të rripit të sigurisë.

Njësia e Trafikut Rajonal në Mitrovicë, do të vazhdojë me intensifikimin e veprimeve në fushën e zbatimit të ligjit të sigurisë së trafikut rrugor dhe edukimin e pjesëmarrësve në trafik rrugor, para stinës verore, ka planifikuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh operacionale gjatë javëve të ardhshme, përfshirë edhe kontrollin teknik të jashtëzakonshëm sipas dispozitave ligjore Neni 252 dhe largimin e mjeteve nga trafiku, sipas Nenit 251, të ligjit Nr 05/L- 088.

Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të bashkëpunojnë me zbatuesit e ligjit, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor me qëllim të shmangies së sanksioneve të cilat Policia është e obliguar me ligj për të ndërmarrë për të ndikuar në parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve në trafik përmes masave preventive.