Naim Maloku, ish-oficer i lartë i UÇK-së, tashmë ekspert i çështjeve ushtarake, ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s e ka ndihmuar Kosovën që ta përfundonte luftën çlirimtare.
“Distribuimi i forcave të NATO-s në Kosovë ka ndihmuar shumë në rajon, është mbajtur stabiliteti në Maqedoni, janë bërë zhvillime pozitive në Serbi, Mal të Zi. NATO-ja nuk ka pasur ndikim vetëm për stabilitetin e Kosovës, por për krejt rajonin”, ka potencuar Maloku.
Kurse, ka konsideruar se ushtria e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Drizan Shala, ekspert i sigurisë nga “East Bridge Academy” ka thënë se NATO-ja kishte hyrë në Kosovë për ta parandaluar një tragjedi të mundshme sikur ajo e Srebrenicës.
“Duke parë në retrospektivë zhvillimet që kanë ndodhur para më shumë se një dekade në Ballkan dhe luftërat çnjerëzore që ishin zhvilluar, si pikë kyçe mund të potencojmë që NATO-ja si mision i Kombeve të Bashkuara nën Rezolutën 1244 hyri në Kosovë për ta parandaluar një Srebrenicë të dytë, që ishte planifikuar të ndodhte në komunën e Podujevës më 1999”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, duke folur për ushtrinë, ai ka thënë se ushtria është çelësi për të hyrë në NATO mirëpo, sipas tij, NATO-ja ka status neutral ndaj zhvillimeve në raport me procedimin e ligjit për ushtri, sepse ashtu si ai ka potencuar, misioni kyç i tij është ruajtja e stabilitetit të brendshëm ndëretnik.









































