Emërimi i anëtarëve të KSHC dhe i zëvendësueses së sekretarit në MASHTI, deklarohet ministrja Nagavci

05.06.2021 13:58:56

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni, Arbërie Nagavci është deklaruar sot pas reagimeve lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe emërimin e Fadile Dylës si zëvendësuese e sekretarit të MASHTI.

Nagavci në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se anëtarët e KSHC-së janë përzgjedhur në bazë të rekomandimeve që janë dhënë nga komisioni konform kërkesave dhe sipas fushave.

Lexoni të plotë postimin e Nagavcit:

Dje kam parë reagime të shumta të opozitës dhe raportime në media rreth emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), anëtarëve të Komisionit që ka bërë vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të këtij këshilli si dhe emërimin e zonjës Fadile Dyla si zëvendësuese e sekretarit të MASHTI.

Po sqaroj edhe një herë secilën nga këto çështje.

Komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve për anëtarë të KSHC-së:

Është formuar bazuar në legjislacionin në fuqi: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Konferenca e Rektorëve, ndërkombëtarët, shoqëria civile e kanë rekomanduar nga një anëtarë derisa nga MASHTI ka pasur një përfaqësues të saj.

Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KSHC-së:

Anëtarët e KSHC-së janë përzgjedhur në bazë të rekomandimeve që janë dhënë nga komisioni konform kërkesave dhe sipas fushave. ( Falenderoj të gjithë kandidatët që kanë janë nominuar apo vetnominuar dhe i kanë plotësuar kriteret, si ministri do të bashkëpunojmë në aktivitete dhe projekte tjera).

Këshilli Shtetëror i Cilësisë është një organ që ka rendësi të jashtëzakonshme në arsimin e lartë. Ndikimet partiake në AKA kanë shkaktuar tashmë dëme të mëdha, andaj çdo përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë është e pa tolerueshme.

Ne jemi duke punuar shumë që t’i riparojmë dëmet e shkaktuara nga qeveritë e kaluara ku si pasojë e ndërhyrjeve të skajshme politike, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtuar nga ENQA dhe EQAR, andaj ne do të krijojmë kushtet për të aplikuar për rikthim. Asnjë ndikim politik apo tjetër nga kushdo nuk do ta tolerojmë.