Erdogan mban tubim parazgjedhor në Sarajevë

06.05.2018 18:12:26
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të mbajë më 20 maj tubimin parazgjedhor në sallën olimpike Huan Antonio Samaran në Sarajevë, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, të cilat në Turqi zhvillohen më 24 qershor.

Këtë informatë e konfirmoi organizatori i tubimit, Unioni i demokratëve europiano-turq, i cili tha se është përzgjedhur salla olimpike në Sarajevë, e cila mund të zë mbi 12 mijë njerëz, ndërsa teorikisht, kapaciteti i saj maksimal mund të jetë deri në 20 mijë njerëz, shkroi gazeta “Dnevni Avaz”.

Më herët u njoftuan se Erdogan do të organizojë një tubim parazgjedhor në Sarajevë, në të cilin ishte paraparë të marrin pjesë mbi 10 mijë turq që jetojnë në Bosnje, e tubime të tilla presidenti turk kishte planifikuar të zhvillonte edhe në Gjermani dhe Austri, por autoritetet e këtyre vendeve ndaluan organizimin e tubimeve të tilla.