Erdogan: Mbrojtja e Jerusalemit, detyrë e përbashkët e të gjithë myslimanëve

29.11.2016 20:18:09

Një Palestinë e pavarur me kufijtë e saj të para vitit 1967 është e vetmja shpresë për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, deklaroi sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“E vetmja mënyrë për zgjidhje të përhershme të paqes në Lindjen e Mesme është një Palestinë e lirë dhe e pavarur me kryeqytet Jerusalemin Lindor”, tha ai gjatë një takimi për Jerusalemin që po mbahet në Stamboll.

“Paqja në rajon është e pamundur pa e shëruar këtë plagë të Lindjes së Mesme”, shtoi më tej Erdogan.

Shumë shtete, në mesin e të cilave edhe Turqia kanë bërë thirrje për një zgjidhje “dy shtete”, të bazuar në kufijtë që kanë ekzistuar para vitit 1967, atëherë kur gjatë luftës arabo-izraelite ky i fundit okupoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Lartësirat e Golanit dhe Gadishullin e Sinait.

Erdogan tha gjithashtu se situata palestineze ka paraqitur bazë edhe për tensione të tjera në rajon për të shtuar se “politikat e represionit kundër vëllezërve palestinezë që datojnë nga vitit 1948 janë në rritje e sipër”.

Presidenti Erdogan kritikoi Kombet e Bashkuara se kanë dështuar plotësisht në zgjidhjen e kësaj çështjeje tejet të rëndësishme.

“Të përqafosh çështjen e Palestinës, të mbrosh Jerusalemin, është detyrë e përbashkët për të gjithë myslimanët, një detyrim i përbashkët”, tha Erdogan si kundërpërgjigje ndaj propozimit izraelit për të ulur zërin gjatë thirrjes së Ezanit.