Ethe e shumë zjarr/poezi nga Dije Lohaj

11.11.2020 01:46:58
ETHE E SHUMË ZJARR
Të pashë me një plagë më shumë,
Kosovë!
Me një vaj të kuq tek laje vetveten,
Me lotin e murrmë tek më laje mua,
Me zhurmë e shumë flakë,
Me ethe e shumë zjarr.
Atdheu im!
Në krye të një politike të zezë,
Në këmbët e tua të vrara nga dora ime,
U përgjake nga shiu i murrmë,
Tutje shesheve
Me emra Gjergji e Nënë Tereza,
E ç’kërkoje mes hipokrizisë,
Duke rendur mbi trëndafilat me gjemba?
A thua asnjëherë s’e kupton
Se çfarë humb e çfarë fiton?
Tek lodron mes asgjësë dhe hijes sate,
Tek lodron mes hapësirës gri të hijes sime
Dhe nuk e di a jam unë e fyer,
Apo ti je i poshtëruar?
Po ç’kërkoje, bre, në fole gjarpri,
Stolisur me harqe ylberesh,
Ku çelin vezët e qyqes,
Ndërsa bota tallet me shtetin tënd,
Qepur me arna demokracie,
Kur edhe unë, edhe ti
Përgjojmë hijet tona,
Mes prushit e zjarrit,
Mes shtetit dhe djallit.
Me hirin tonë spërkatim
Lakuriqësinë tonë të varfër
Ndërsa as prushi, as zjarri
Nuk na ngrohin dot
Në flakën e stinëve as sot.