EULEX-i shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë

17.05.2017 10:22:52

Misioni EULEX në Kosovë i është bashkuar sot përpjekjeve në mbarë botën për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Në shenjë mbështetje për trajtimin e barabartë, tolerancën dhe respektimin e diversitetit të komunitetit LGBTI në Kosovë, Misioni do ta vë  flamurin e ylbertë.

Alexandra Papadopoulou, shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë theksoi se parimi i mos-diskriminimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për aktivitetet e EULEX-it për monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e agjencive të Kosovës për zbatimin e ligjit.

“Në këtë ditë theksojmë se të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, trans-gjinorëve dhe inter-seksual (LGBTI) janë të drejta të njeriut. Të gjithë njerëzit, pavarësisht orientimit të tyre seksual, apo identitetit gjinor, janë të lirë të jetojnë pa u paragjykuar, pa frikë, pa dhunë, apo pa u diskriminuar,” tha Papadopoulou.

Të drejtat e LGBTI janë të parapara në kornizën ligjore të BE-së. BE-ja është e përkushtuar ta luftojë diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Në nenin 21 të Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore parashihet që “diskriminimet e bazuar në orientimin seksual janë të ndaluara”.

“Në konsultim me juristë nga e mbarë bota, tema e vitit 2017 identifikoi “familjet” si fokusi botëror – roli i familjeve në mirëqenien e anëtarëve LGBTI dhe respektimi i të drejtave të familjeve LGBTI. BE-ja gjithnjë i ka vlerësuar përpjekjet e guximshme të avokimit nga ana e gazetarëve, aktivistëve, mbrojtësve të drejtave të njeriut dhe pjesëtarëve të  shoqërisë civile. “Përpjekjet kolektive të tyre janë të rëndësishme për ngritjen e vetëdijesimit, dokumentimin e dhunës dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, theksoi Papadopoulou.