“Fabrikat” elektorale të Behgjet Pacollit

26.11.2016 09:13:16

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli para dy ditësh vuri gurthemelin e fabrikës së kërpudhave në Drenas. Ai këtë e bëri bashkë me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi.

Vendosja e gurthemeleve nga Pacolli duket se është strategji për të mbledh vota, mirëpo jo çdoherë ka funksionuar kjo, pasi qytetarët nuk kanë besuar në “qëllimin e mirë” të Pacollit.

Sigurisht se kjo e drejt ju njihet qytetarëve, marrë parasysh se Pacolli disa projekte të tilla i ka lënë në gjysmë ose nuk i ka vazhduar më shumë se një lopatë zhavorr, shkruan lajmi.net.

Sikur tash me Drenasin, Pacolli pati vepruar edhe me Kamenicën, Prishtinën dhe Mitrovicën.

Gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 për zgjedhjet komunale, Pacolli dhe ekipi i tij kishin hapur themele në Prishtinë dhe Kamenicë.

Në Prishtinë, Pacolli bashkë me Korab Sejdiun, kandidatin e AKR-së për Prishtinë e kishin nisur një themel të një fabrike diku në dalje të Prishtinës, mirëpo kjo kishte mbetur vetëm fushatë dhe është harruar sot e asaj dite.

Njëjtë bëri edhe në Kamenicë, ku bashkë me Fatmir Matoshin, kandidat për kryetar të kësaj qyteze, Pacolli i nisi disa kamionë me zall dhe dhe, mirëpo fabrika sërish mbeti vetëm premtim elektoral.

Edhe në Mitrovicë, ku kandidonte me Agim Bahtirin, tash kryetar, Pacolli bëri premtime për punësime të mijëra qytetarëve, mirëpo deri me tash kemi një numër të vogël mitrovicas të punësuar. Të paktën në këtë qytet është hapur një fabrikë e kërpudhave, edhe pse më vonesë në krahasim me premtimin e bërë.

Qytetarët e Drenasit janë ata që duhet të shpresojnë se edhe kjo fabrikë që sapo i janë vënë themelet mos të mbetet vetëm projekt i fushatës me dy karroca beton.