“Familja Dehari peng i luftës mes pushtetit dhe Vetëvendosjes”

11.11.2016 18:37:24

Opinionisti Petrit Zogaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se familja e Astrit Deharit është viktimë dhe peng i një lufte politike mes pushtetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka deklaruar se është e papranueshme që ende të mos e dimë rezultatin e autopsisë, për një rast kaq të rëndë.

“Opinioni publik është dashur ta marrë vesh qysh të dielën cka ndodhi në burgun e Prizrenit. Nuk është dashur të presim disa ditë që autopsia të pritet ende edhe sot. Në këtë rrëmujën ku institucionet nuk kanë kurrfarë përgjigje, publikimi i videove, përpos që është dhimbje për familjen, e duan më së shumti. Edhe partitë në pushtet e kanë dashur këtë gjë, edhe Vetëvendosja po ashtu; që sot të dalin dhe ta shtrojnë debatin. Familja Dehari është viktimë e peng i pushtetit të papërgjegjshëm dhe partisë së papërgjegjshme. Ajo është duke u keqpërdorur”.

“Unë në asnjë variant nuk do ta atakoja median për këtë video, përderisa shteti nuk ka kurrfarë përgjigje për këtë rast. Sa i përket hetimeve, unë nuk mendoj që është dashur që të kemi ekspertë të pavaruar. Ndaj besoj që ka mundur që me këtë çështje të merret Byroja Federale e Hetimeve, FBI”.