‘Fëmijët do të vdesin nga uria’, paralajmëron OKB-ja teksa Afganistani është drejt kolapsit

25.10.2021 10:44:28

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që fondet e ngrira të lirohen për ndihmë humanitare në Afganistan teksa paralajmëroi se miliona afganë, përfshirë fëmijë, mund të vdesin nga uria nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për ta tërhequr Afganistanin nga pragu i kolapsit.

Drejtori Ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit (ËFP), David Beasley, tha për Reuters se 22.8 milionë njerëz – më shumë se gjysma e popullsisë 39 milionëshe të Afganistanit – po përballeshin me pasiguri akute ushqimore krahasuar me 14 milionë vetëm dy muaj më parë.

“Fëmijët do të vdesin. Njerëzit do të vdesin nga uria. Gjërat do të përkeqësohen shumë,” tha ai, shkruan Reuters.

“Nuk e di se si nuk keni miliona njerëz, e sidomos fëmijë, të vdesin me ritmin që po shkojmë me mungesën e fondeve dhe me kolapsin e ekonomisë”.

Afganistani u zhyt në krizë në gusht pasi talebanët morën pushtetin.

Kriza e ushqimit, e përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, ishte e tmerrshme në Afganistan edhe përpara marrjes së pushtetit nga talebanët, administrata e re e të cilëve është bllokuar nga aksesi në asetet e mbajtura jashtë shtetit, ndërsa kombet luftojnë se si të merren me islamistët e linjës së ashpër.

Agjencia e ushqimit e OKB-së ka nevojë për deri në 220 milionë dollarë në muaj për të ushqyer pjesërisht afro 23 milionë njerëz të cenueshëm me afrimin e dimrit.