Fillon protesta për nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë (Foto/Video)

31.01.2018 12:22:30

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë vendosur që të jenë pjesë e protestës së organizuar sot para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, protestë kjo si shenjë pakënaqësie me nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Siç edhe mund të shihet në pamje, qytetarë të shumtë kanë dalë aty, duke protestuar rreth nivelit alarmues të ndotjes së ajrit, i cili sipas ekspertëve ka marrë përmasa shqetësuese.

“Plasëm, u ngulfatëm”, “Helm”, “Hazardous”, “Po du ajër”, “Shpend duaje Prishtinën”, “Veç edhe ajrin keni mbet pa e privatizuar”, ishin këto disa nga pankarta të cilat protestuesit mbanin në duar në shenjë proteste ndaj ndotjes së ajrit në Prishtinë, i cili ka arritur përmasa shqetësuese.

Ndryshe, sot Policia e Kosovës ka filluar së zbatuari masat emergjente të dala një ditë më parë nga një takim ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Prishtinës me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që kanë për qëllim uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Në takim ishte dakorduar që të bëhet reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift).

Gjithashtu është dakorduar që të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente.