Fol Luli, fol!

20.11.2020 13:07:53

 

Nga Nikollë Lesi

Një stuhi mediatike e financuar nga Rilindja ndaj Lulzim Bashës për çështjen e një kasete si dhe loja djallëzore për ta nxjerrë liderin e opozitës si bashkëpunëtor me ata që duan dënimin e zinxhirit komandues të UÇK nuk pret derisa stuhia të kalojë, pasi pasojat do mbeten “trotuarve të opozitës” dhe pemët e rrënuara nga kjo fortunë do duhen paksa kohë të ngrihen, sepse kryeministri Rama ka një dyzinë me njerëz në rrjetet sociale dhe në mediat kryesore, të cilët me një oreks të madh, duke nënçmuar barkun bosh të qytetarëve shqiptarë, do të lenë njolla në muret e pastra të opozitës.

Nuk e mendoj dhe as që dua ta besoj atë që po thonë këto ditë për Lulzim Bashën, pasi e kam bindjen se asokohe Luli, një djalosh 25 vjeçar, ka rendur për të përkthyer apo mbajtur dosjet e UNMIK, siç mund ta bënte çdo djalosh shqiptar, këtej dhe andej kufirit, aq më tepër që ka bërë vetëm punën e një përkthyesi.

Por akuzat janë të gjithëkahshme dhe me një dirigjent që ka emrin Edi Rama. E gjitha kjo po inskenohet në kuadrin e fushatës elektorale, ku edhe pak muaj na pret nga refendumi popullor me 25 prill për ndryshim të qeverisë, e ku sondazhet flasin haptazi për barazim ndër tre partitë politike; pra PD, LSI dhe PS sillen me vota aty-aty. Sulmi frontal ndaj Lulzim Bashës ka edhe një synim dreqnues rilindas, sepse nuk e duan kandidat për kryeministër nesër, kur LSI dhe PD të kenë shumicën kushtetuese për të krijuar qeverinë,

Ndaj Lulzim Basha duhet të dalë e të flas ballë për ballë me akuzuesit, sepse nuk mund të mbrohet vetëm me intelektualin Agron Gjekmarkaj, që ndonëse mbetet kalibër i lartë si analist e njeri me popullaritet në të djathtën, apo edhe në majtën, por nuk mjafton. Në këtë katrahurë mediatike, këtej dhe andej kufirit, ku janë ndërsyer gjithë urdia e pisllëkut ndaj Bashës, ky pra Luli, duhet të futet në skenë, bile në duel në fushë për ta sqaruar gjithçka përsa flitet e llomotitet, për shkak se po i hedhin njolla balte në kostumin e bardhë të përgatitur për kryeministër.

Lulzim Basha nuk ka pse e kalon me të qeshur apo me një përgjigje tangent në një media, por ka nevojë të zbresë për t’u përballur. N’daç në Top Channel apo te Fevziu i famshëm, apo ku ta duash që vijnë edhe akuzuesit, duhet të shkosh live dhe t’i dërrmosh me fakte dhe argumenta, manipuluesit dhe shantazhuesit tuaj.

Sulmet mbi Ju janë edhe mbi opozitën, indirekt, për arsye se je lideri i tyre. Luli! Në të vertetë po të ishte për mua (por pak më ke dëgjuar) unë do të sugjeroja që të mos pyesje as për Corona, as për polici e Surrelkarrike, por ti bëje thirrje popullit për t’u mbledhur mu para kryeministrisë dhe për t’u përballur me kryeministrin dhe krejt sojin e tij, njëherë e mirë.

Kur përpara ke një pushtet kriminal, arrogant dhe të lidhur me krimin, siç thoni përditë, atëhere lideri i opozitës i prin popullit kundër këtyre që sapo thamë, vihet në ballë, bile në rrjeshtin e parë kundër pushtetit mafioz.

Dhe në këtë rast për të sjellë demokracinë dhe shtetin ligjor, lideri opozitar merr parasysh edhe arrestimin apo të vritet përballë tyre, sepse ky lloj pushteti rrëzohet duke mos pyetur për veten, por duke menduar se ja vlen edhe sakrifica që shqiptarët të shpëtojnë nga oligarki-krimi dhe Rilindja si sekt që ka pushtuar PS-në.

Unë nuk po të kërkojë as të vritesh dhe as të arrestohesh, por dilju para këtij taborri horrash që kanë marrë gjitha pushtetet!/Marrë nga Koha Jonë