Gashi: Iniciativa për shfuqizimin e Speciales e vonuar, së shpejti aktakuzat e para

03.01.2018 20:42:13

Avokati Tomë Gashi, duke folur për Gjykatën Speciale, ka thënë se disa akuza të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, janë gati vetëm që ende nuk janë publikuar.

Gashi e cilëson absurde që deputetët, që e votuan themelimin e Gjykatës Speciale, tash kërkojnë shfuqizimin e saj.

Sipas tij, janë udhëheqësit aktualë të Kosovës ata që po duan ta parandalojnë formimin e Speciales, sepse po e shohin veten të rrezikuar nga kjo gjykatë.

Gashi tha se iniciativa e OVL të UÇK për peticionin kundër Gjykatës Speciale, ka qenë e motivuar dhe nxitur nga udhëheqës shtetëror.

Ai, në një intervistë për Tribuna Channel, e ka quajtur jo serioze dhe të vonuar iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Fillimisht duhet të ndryshohet Kushtetuta, sepse me ndryshime kushtetuese, heqjen e nenit 24, atëherë mund të jetë ligjore nisma për shfuqizimin e Speciales”, tha ai, duke shtuar se një gjë e tillë do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet ndërkombëtare me sponsorisuesit e pavarësisë së Kosovës, posaçërisht me SHBA-të, gjë të cilën asnjë shqiptar nuk e do.

Ai tha se beson se të gjitha këto iniciativa janë të vonuara, përveç nësë sigurohen mbi 80 vota të deputetëve, pavarësisht se kjo do të dëmtonte shumë raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

Gashi shtoi se pavarësisht zhvillimeve në Kosovë, për tentimin e shfuqizimit të Speciales, ka akuza të gatshme dhe pritet të publikohen së shpejti.