Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka folur për akuzat e tij ndaj anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë marrë edhe karakter personal.
Gecaj e ka quajtur Vetëvendosjen lëvizje anarkiste, duke e krahasuar me grupet komuniste të Italisë, të cilat janë quajtur “Brigadat e Kuqe”.
Ai ka thënë se Vetëvendosje ka përdorur të gjitha mjetet e dhunës, duke lënë hapësirë edhe për atentate, nëse vërtetohen akuzat për terrorizëm të anëtarëve të Vetëvendosjes për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Sipas Gecajt, nëse vërtetohen akuzat për sulm ndaj Kuvendit, sulmi mund të cilësohet atentat, sepse në Kuvend mund të ketë pasur njerëz duke punuar gjatë natës, që kanë mundur të vdesin nga një sulm i tillë.
Këshilltari i kryeministrit Mustafa ka përmendur edhe djegien e veturës së gruas së tij, si akt terrorist, për ç’gjë akuzohen militantë të Vetëvendosjes.






































