Situata që po paralajmërohet për mungesë të thëngjillit dhe rrjedhimisht krizë të furnizimit në javët në vijim është e mbuluar nga jo-transparenca dhe është shndërruar në një luftë për gjetjen e “fajtorit” ndërmjet aktereve të ndryshëm institucional, por për komunitetin e biznesit dhe qytetarët e vendit është absolutisht e parëndësishme kush është “fajtori”, pasi që bizneset dhe qytetarët presin dhe meritojnë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Sipas Gërxhaliut thelbi i problemit është mos ndërtimi në kohë i kapaciteteve të reja gjeneruese, përkatësisht Termocentralit “Kosova e Re”, ku një rol të madh në vonesa dhe paqartësi e ka edhe Banka Botërore e cila ka një qasje jo-transparente në këtë projekt dhe vazhdimisht një qasje e tillë karakterizohet edhe me një burokraci që përcjellet me kërkesa që kanë kosto milionëshe dhe janë po të njëjtat kërkesa të cilat ky institucion ndërkombëtar i përdor si pretekste të vazhdueshme për prolongimin e vendim marrjes për (mos) përkrahjen e një projekti jashtëzakonisht vital për ekonominë e vendit tonë.
“Ne jemi në një situatë paradoksale “kur jemi ndër vendet me rezervat më të pasura me thëngjill në botë”, ndërkohë jemi ndër vendet me jo-stabilitetin më të madh energjetik, në kohën kur në vendet e rajonit, më kushte shumë më të pafavorshme kemi investime në magavat të rinj ( 350 megavat të reja në Serbi, 300 megavat të reja në Maqedoni dhe rreth 250 megavat të reja në Mal të Zi, të planifikuara dhe në implementim në 3 vitet e fundit)”, përfundon Gërxhaliu.