Gjebrea: 13 fëmijë vdiqën nga aksidentet në 2016

20.11.2016 12:33:19

 Në ditën ndërkombëtare të të rënëve në aksidentet rrugore tha se 13 fëmijë kanë humbur jetën në aksidentet rrugore përgjatë vitit 2016. Në aktivitetin sensibilizues me fëmijët lidhur me sinjalistikën rrugore, zëvendësministrja e Brendshme Elona Gjebrea apeloi prindërit për më shumë kujdes.

“Statistikat tregojnë se për një vit janë shënuar 13 viktima aksidentesh fëmijë. Ti sensibilizojmë fëmijët dhe prindërit të tregojnë kujdes me rregullat e qarkullimit. Ministria e Brendshme i bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që në orën 12:00 të fikin makinat në simbolikë të viktimave nga aksidentet.

Ndërsa zëvendës/Ministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se fëmijët e kanë në dorë të ndryshojnë sjelljen në rrugë.

“Fëmijët kanë në dorë të ndryshojnë sjelljen në rrugë. Fëmijët janë kritikë ndaj prindërve kur ata bëjnë gabime në drejtimin e automjeteve. I bëjmë apel Bashkive që në eksperiencën e bashkisë Tiranë të ndërtojnë rrugë për qytetarët, që të kenë të gjithë elementët e sigurisë dhe sinjalistikën e duhur”, tha Malaj.

Ndërkaq, Në të gjithë vendin po organizohen aktivitete në përkujtim të viktimave të aksidenteve rrugore.

Ndërkohë stafi dhe studentët e Akademisë së Sigurisë kanë zgjedhur të dhurojnë gjak për të gjithë ata persona që mund t’u lindë nevoja në rast aksidentesh.

Motoja e fushatës sensibilizuese për këtë vit është: “Bëj kujdes, kjo mund të të ndodhë dhe ty!”