Gjermania është skeptike lidhur me ndryshimin e kufijve

15.09.2018 20:56:16

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Serbi Thomas Schieb ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë e Kosovës është vendimtar dhe ai do t’i kontribuonte stabilitetit në rajon.
Por, ka shtuar ai se Gjermania është skeptike rreth spekulimeve për ndryshimin e kufijve.

Schieb për gazetën serbe “Danas” ka thënë se dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës ka sjellë njëfarë përparimi që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët në Serbi e Kosovë.

“Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë: Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm pasi t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën. Jemi shumë skeptikë rreth ndryshimit të kufijve sipas vijave etnike. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, këto ditë, disa herë është deklaruar rreth kësaj çështjeje”, tha Schieb.