Mobilizim i madh i qytetarëve për pastrimin e Kosovës, mijëra prej tyre iu bashkuan fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”

15.09.2018 21:05:22

Me një mobilizim të jashtëzakonshëm tëmijëra vullnetarëve, institucioneve qendrore e komunale, organizatave e qytetarëve të shumtë, sot ka filluar fushata e madhe “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila do të zgjasë tre muaj, deri më 15 dhjetor 2018.

“Aksioni i nisur me iniciativë të Let’s Do It Kosova dhe i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar në ora 09:00 në Prizren dhe Junik, ndërsa në komunat e tjera ka filluar nga ora 10:00, ashtu siç edhe është paraparë. Aksioni i nisur sot do të vazhdojënesër në komunën e Mitrovicës.

Nga rezultatet e deritanishme nga të gjitha komunat ku është organizuar aksioni, numri i vullnetarëve ka arritur nëmijëra. Falë mobilizimit të sotëm janë larguar mijëra ton me mbeturina, duke u tejkaluar kështu edhe pritshmëritë tona. Let’s Do It Kosova ju njofton se të dhënat e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës nga qendra e thirrjeve janë duke u përpunuar dhe do të publikohen në një konferencë për media.

Hapja zyrtare e aksionit të madh të pastrimit sot është bërë në lagjen Kalabria të kryeqytetit, ku është larguar një deponi e madhe ilegale me mbetje inerte nga Kompania “Kawa Group”.Nga aty janë larguar 104 kamionë me mbetje. Më pas, vullnetarët kanë vazhduar në “Zonën Industriale” në Fushë Kosovë, ku janë larguar 6 kamionë me mbetje nga ekipet e FSK-së. Përveç kësaj deponie, në Prishtinë vullnetarët kanë pastruar edhe në 15 pika tjera.

Në hapje të aksionit të organizuar nga Let’s Do It Kosova kanë marrë pjesë kryeministri Ramush Haradinaj bashkë me disa prej ministrave të Qeverisë së tij, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës, Organizatave Joqeveritare, Shoqërisë civile, kompanive private dhe nxënës të shkollave fillore,të mesme e studentë. Aksionit i janë bashkuar edhe ministri i Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi me një grup të vullnetarëve”, thuhet në njoftimin për media.

Nga aty u dha përkrahje e fuqishme për fushatën tre mujore për pastrimin e Kosovës dhe u bë thirrje që mobilizim si ky i sotmi të vazhdojë gjatë tërë kësaj periudhe kohore në të gjitha komunat e Kosovës.

Let’s Do It Kosova u njofton se aksioni i nisur sot do të vazhdojë për tre muaj dhe do të zgjasë deri në eliminimin e të gjitha deponive ilegale të mbeturinave, me ç’rast është krijuar edhe Task Forcë nga Qeveria e Republikës së Kosovës me akterë tjerë relevant.

Meqë fushata do të vazhdojë, Let’s Do It Kosova sërish ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që në mënyrë të organizuar të bëhen pjesë e aksioneve për pastrimin e Kosovës. Po ashtu, ju bëjmë të ditur se të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e aksionit si vullnetarë, këtë mund ta bëjnë duke u regjistruar në faqen www.tapastrojmekosoven.org

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” është realizuar në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës”qëështë organizuar nga Lëvizja Globale “Let’s Do It World”  në rreth 200 vende të botës, ku janë mobilizuar rreth 5 për qind e popullsisë botërore.