Gjermania njofton masa të reja anti­terroriste

11.08.2016 17:09:24

Gjermania vazhdon të ndeshet me rrezik të konsiderueshëm nga sulme terroriste, tha Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, pas një serie bastisjesh dje ndaj banesave që dyshoheshin si celula për rekrutime të terroristëve në qytete të ndryshme gjermane.

Ministri de Maziere njoftoi sot një numër masash kundër radikalizimit, por edhe për të forcuar ndëshkimet për shtetas të huaj të kapur në aktivitete që cënojnë sigurinë publike. Masat, tha zoti de Maziere, pasojnë një analizë të hollësishme të nevojave të strukturave shtetërore për sigurinë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, po analizojmë nëse nevojitet personel shtesë për policinë federale, Zyrën e Hetimeve Penale dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Gjithashtu po analizojmë se çfarë nevojitet për autoritetet që operojnë teknologjinë që ka lidhje me sigurinë. Jemi në kontakte me ministrinë e financave për këto skenare, me synimin për të shtuar personelin me mbi 1 mijë forca të tjera në vitet në vazhdim”, tha ministri.

Masat parashikojnë zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese shtetërore si dhe krijimin e strukturave të reja për të parandaluar dhe diktuar rreziqet. “Po ashtu po analizojmë organizimin e forcave të sigurisë. Kam vendosur se nevojitet krijimi i një drejtorie të re policore për forcat speciale, në mënyrë që në raste tepër serioze, ndoshta skenare terroriste, të gjitha forcat të koordinohen në një vend dhe të jenë në dispozicion të landeve gjermane”, tha ai.

Masa speciale do të merren edhe për betejën virtuale. De Maziere tha se Gjermania ka në plan të angazhojë hetues të “internetit të errët”, siç e quajti ai, informaticienë të specializuar për të diktuar tregti armësh apo komunikime mes terroristëve.