Gjermania voton kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë

24.11.2016 16:51:12

Kryetar i komisionit parlamentar për çështjet Europiane në Bundestagun Gjerman dhe përfaqësues i grupit më të madh parlamentar në Bundestag, Gunther Krichbaum ka deklaruar që rezultatet e qeverisë për rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk janë të mjaftueshme.

Sipas tij, qeveria aktuale ka punuar mirë deri tani, por çelja e negociatave do të krijohet vetëm kur Shqipëria të ketë përmbushur kushtet. Kricbaum ka dhënë notë “jo kaluese për reformën zgjedhore dhe dekriminalizimin”.

Në një konferencë për shtyp në Tiranë, Krichbaum tha hapur se me arritjet e deritanishme të Shqipërisë grupi i tij parlamentar CDU nuk do të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Pa u përmbushur kushtet, bisedimet nuk hapen, – ka thënë Krichbaum. – Pa marrë një votë nga Bundestagu gjerman, kancelarja Merkel nuk mund të shprehet për një votë pro çeljes së negociatave për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian. Ne duam që Shqipëria të aderojë sa më shpejt në procesin e integrimit dhe ne mbështesim Shqipërinë në rrugën e tyre drejt BE-së, sepse përmes këtij procesi ne presim forcimin e shtetit të së drejtës, mirëqenies dhe demokracisë”.

Krichbaum shtoi se hyrja e Shqipërisë në BE është edhe në interes të Gjermanisë. “Ne duam t’iu ndihmojnë të ndërtoni një vend që t’i ofrojë perspektiva brezit të ri. Ndaj ne duam që bisedimet me Shqipërinë të çelen kur të jenë krijuar kushtet, ndaj shteti i së drejtës është thelbësor në këtë aspekt. Këto arritje janë vërtetë mbresëlënëse, ato janë të kuptueshme për çdo qytetar të vendit kur krahasohet situata me para 5 vjetësh, 10 vjetësh e 30 vjetësh. Por nëse krahasojmë momentet e viteve të ndryshme, kontrastet duken të dukshme. Shumë është arritur. Edhe qeveria aktuale ka dhënë një ndihmë të madhe”.

Krichbaum prezantoi pritshmëritë e tij në disa pika, ku para së gjithash ishte reforma në drejtësi. “Por me vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë pezulluar aspektet kryesore të kësaj reforme. Kusht tjetër që duhet përmbushur është edhe dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore. Për çeljen e bisedimeve duhen krijuar kushtet, 5 prioritet kyçe nuk janë plotësuar akoma. Ndaj ne propozojmë mosçeljen e bisedimeve, – tha kreu i Bundestagut gjerman. – Nëse këto pritshmëri do të përmbushen deri në publikimin e raportit të radhës, deri në pranverë 2017, nuk do të jetë e mundur që asnjë forcë politike të bllokojnë ecjen drejt anëtarësimit në BE, – vijoi ai – Nga ana tjetër, edhe korrupsioni është një sistem i përhapur në shumë sektorë, sidomos në polici dhe prokurori, ku më shumë preken më të varfrit, ndaj lufta ndaj korrupsionit është dhe testi më i fuqishëm për të prodhuar shtetin e së drejtës”.