Gjykata Evropiane: Nxënëset myslimane duhet të marrin pjesë në orën e notit

10.01.2017 16:33:33
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka hedhur poshtë ankesën e një çifti mysliman në Zvicër të gjobitur për moslejimin e vajzave të tyre për të marrë pjesë në orën e notit.

Gjykata me seli në Strasbourg të Francës ka vendosur sot se gjoba e vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën e familjes për lirinë e fesë sipas nenit 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti u dërgua në gjykatë nga një çift turko-zviceran që ka thënë se detyrimi i vajzave të tyre që ishin në moshën e mitur, që të marrin pjesë në orën e notit, në të cilën bashkërisht marrin pjesë djem dhe vajza, shkel parimet e fesë së tyre.

Gjykata ka vendosur se shkolla ka “rol special” në integrimin e shoqërisë dhe “qëllim legjitim” në mbrojtjen e fëmijëve, me origjinë të huaj, nga përjashtimi.

Gjykata e Strasbourgut, gjithashtu ka vendosur se gjoba prej 1400 franga zvicerane që çifti është dashur të paguajë, është proporcionale.

Ky vendim raportohet se mund të ndikojë në raste të shumta të ngjashme që kanë ndodhur në vende si Gjermania dhe Lihtenshtajni, gjatë viteve të fundit.