Ilir Meta kruan plagën e vjetër që i shkaktoi Rama në vitin 2008: Për listat e mbyllura u futëm në grevë urie

10.01.2017 16:27:43

Duket se më në fund LSI-ja ka gjetur një “sebep” për ta vënë Ramën në shpatulla pas muri për një çështje, që ai është i fundit në politikën shqiptare që do ta pranonte. Nëpërmjet të “përhershmit” Petrit Vasili ajo ka përsëritur sërish sot kërkesën për listat e hapura, në zgjedhjet e ardhshme. Kreu i grupit parlamentar të kësaj partie për herë të parë në këtë bashkëqeverisje ka ngacmuar një plagë të vjetër, atë të marrëveshjes së Ramës me Sali Berishën në vitin 2008, kur ndryshuan kushtetutën e vendit në funksion të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Dihet se ashtu si zbulua më vonë nga deklaratat e Berishës, ka qenë Rama i pari që ka kërkuar që listat e deputetëve të bëhen nga kryetarët e partive. Koha tregoi që kjo gjë i dha atij pushtet absolute brenda Partisë Socialiste dhe njëkohësisht, një risk të madh kësaj force politike me ata deputetë të përzgjedhur nga Rama, që dolën pjesë e krimit nga ordiner deri te ai financiar.

Por nëpërmjet Vasilit Meta ka shkuar edhe më tej, duke i kujtuar Ramës sakrificën që bëri në atë kohë I gjitha grupi parlamentar i LSI-së duke u future në grevë urie.

“Çështja e listave të hapura është problem jo i ri, një qëndrim konsistent i yni për ata që kanë një memorie të vëmendshme ne e kemi kërkuar që në 2008 dhe është mbrojtur fort nga ne. Pra s’është që lind sot paraqitet dhe propozohet sot, kanë qenë raporte të vështira, kujtojmë historinë e 2008 e rimarrim që në një klimë të re më konstruktive krijonte një hapësirë të re për ta rimarrë çështjen. S’besoj të jetë tabu se s’ka të bëjë me interesin e LSI por interesin e një procesi sa më përfaqësues në këtë çështje”, tha sot Petrit Vasili.