Gjykata Supreme shuan shpresat e Trump, të hënën konfirmohet fitorja e Biden

12.12.2020 15:47:32

Gjykata Supreme refuzoi padinë e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit, të mbështetur edhe nga Presidenti Donald Trump, për të bllokuar miliona vota në shtetet kyçe të zgjedhjeve amerikane, që shkuan në favor të Joe Biden.

Vendimi është treguesi më i fortë deri tani që Trump nuk mund të përmbysë në gjykata rezultatin zgjedhor. Ai u dha edhe nga 3 gjykatës të emëruar nga vetë Trump, të cilët treguan se nuk kanë ndërmend të lejojnë vijimin e betejave ligjore për zgjedhjet.

Të hënën, Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të konfirmuar fitoren e Biden. Padia e Ken Paxton u ngrit kundër katër shteteve të tjera, Pensilvania, Miçigani, Xhorxhia dhe Uiskonsin, për të zhvlerësuar fitoren e Biden.

“Gjykata Supreme na zhgënjeu. Nuk tregoi mençuri dhe as guxim!”, shkroi Trump në Twitter.