Grushti i shtetit në Turqi: Turqit kërkojnë hetime edhe në Shqipëri

21.05.2017 19:10:26

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla zhvilloi, një takim gjatë ditës së sotme me homologun e tij turk, Mehmet Akarca, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

 

Mësohet se Llalla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet turke në luftën kundër krimit të organizuar dhe, në veçanti, trafikut të lëndëve narkotike. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë i sugjeroi homologut të tij turk mundësinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila do t’i shërbejë shkëmbimit në kohë reale të të dhënave hetimore për çështje me interes të përbashkët.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë i kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri.

Akarca foli gjithashtu për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, nisur nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Evropë.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë e konsideroi shumë të rëndësishme luftën e përbashkët kundër sfidave të karakterit ndërkombëtar. Llalla i prezantoi homologut të tij turk masat e marra nga ana e autoriteteve shqiptare, si edhe theksoi faktin se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim.