Haradinaj: Kosovarët i takojnë familjes së madhe evropiane

12.05.2018 13:07:23

“Shpallja qytetar nderi i Komunës së Drenasit, sot nuk e nderon vetëm zotin Rainer Wieland, por na nderon gjithë neve si Kosovë. Kosovarët kanë respekt të madh për popullin gjerman dhe përveç kësaj ne jemi evropian”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në ceremoninë e shpalljes “Qytetar Nderi i Komunës”,  për zëvendëspresidentin e Parlamentit  Evropian, Rainer Wieland nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramzi Lladrovci.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj tha se ne i takojmë familjes evropiane dhe ndarja e këtij çmimi dhe ardhja e z. Wieland këtu ka rëndësi të madhe për ne.

Kryeministri Haradinaj përgëzoj kryetarin Lladrovci për veprën e qëlluar, pra për nderin që ai dhe komuna i kanë bërë z. Reiner, që është edhe nënkryetar i Parlamentit Evropian, me dhënien e titullit “Qytetar nderi i Komunës së Drenasit”.

Ndërkaq, pas marrjes së çmimit, zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian Rainer Wieland tha se është nder i madh që nderohet me këtë titull.

“Është obligim për mua të intensifikoj gjithë punën që kam bërë deri më tash. Ndihem i nderuar që vendimi për këtë çmim është marrë unanimisht nga Kuvendi Komunal. Investimi në edukim është investimi më i mirë që mund të bëni. Ju përgëzoj për të rinjtë tuaj qëvijnë në Gjermani, njerëz me qëndrime të qarta e që ishin ambasadorët më të mirë për vendin tuajin”, tha zëvendëspresidenti Wieland.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe asamblistë të Kuvendit komunal të Drenasit.