Haradinaj shkon në Mitrovicë: Qeveria fajtore për murin

15.12.2016 13:55:48

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Mitrovicën. Ai duke komentuar ndërtimin e murit në veri ka thënë se është e pakuptueshme se si në këtë kohë ndërtohen mure ndarëse.

Haradinaj ka thënë se fati ynë është i lidhur më urat e jo me muret.

“Sot e vizitova Mitrovicën dhe e pash murin që ishte ndërtuar aty. Është e pakuptueshme se si mendësia provinciale e nacionaliste, në këtë kohë ndërton mure ndarëse. Më mirë do të ishte që ato mjete të ishin shpenzuar në ndërtimin, edhe të një ure në Mitrovicë, e cila do t’i duhet atij qyteti, atij komuniteti”.

“Prishtina dhe Mitrovica, kanë nevojë të ndërtojnë më shumë ura, sepse fati ynë i përbashkët, janë urat e jo muret”, ka thënë Haradinaj thuhet në komunikatën  AAK-së, përcjell lajmi.net.

Ai po ashtu ka Qeveria e Kosovës nuk mund të justifikohet më asgjë, sepse ishte shkaktar për ndërtimin e murit.

“Kjo një dhe e dyta, Qeveria e Kosovës nuk mund të justifikohet me asnjë gjë, pse ishte shkaktari kryesor i ndërtimit të këtij muri, që tani po na harxhon kohë, nerva e mund që ta rikthejmë në një situatë të pranueshme”.

“Ndërtimi i mureve, nuk mund të jetë as në interesin e vetë komunitetit serb atje. Ata duhet të mos bien pre e politikave ekspansioniste e nacionaliste të Beogradit, apo të kujtdo tjetër, sepse e ardhmja e tyre është në Kosovë! Kosova është një dhe e pandashme”.