Hillary Clinton: Pas humbjes nuk doja të dilja më nga shtëpia

17.11.2016 12:26:05

“Ka pasur raste në javën e fundit, ku gjëja e vetme që doja të bëja ishte të ulesha të lexoja një libër të mirë dhe të mos dilja nga shtëpia”. Kështu është shprehur Hillary Clinton, duke folur në publik për herë të parë pas humbjes në zgjedhjet presidenciale dhe duke mos fshehur zhgënjimin e saj. “E pranoj, – thotë ish-”First Lady” gjatë një diskutimi të mërkurën në mbrëmje në Uashington, – ardhja ime këtu nuk ishte një gjë e lehtë”.

“Di që shumë prej jush janë zhgënjyer për rezultatin e zgjedhjeve, – vijon ajo. – Edhe unë jam, madje më shumë nga ç’mund të dukem. Por fushata jonë nuk u përqendrua vetëm tek një person, por mbi vendin që duam dhe mbi ndërtimin e SHBA-ve me shpresën për të bërë mirë”. Kësisoj, Clinton u kërkoi simpatizantëve që “do të vazhdoj të përkushtohem në të gjitha aspektet”, për “të kaluar” presidencën e Trumpit.

“Kemi nevojë, sikundër dhe SHBA-të kanë nevojë, – shtoi ish-Sekretarja e Shtetit, – për energjinë tuaj, ambicien tuaj dhe talentin tuaj. E di që nuk është e vështirë, e di që në javën e fundit, shumë njerëz kanë pyetur nëse SHBA-të janë vendi që mendojmë se është”.

Megjithatë, ish-kandidatja demokrate bën apel që “të besoni në atë që them: vendi ynë e meriton, fëmijët tanë e meritojnë”.

Clinton ka humbur kundër të gjitha parashikimeve zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, ku ka marrë 232 vota nga “zgjedhësit e mëdhenj” kundrejt 306 të marra nga Trump, ndonëse Hillary e kaloi rialin e saj me vota popullore.