Hoti: Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë, memoria jonë kombëtare që duhet ta mbajmë gjithmonë afër

12.06.2020 08:30:18

Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me kabinetin qeveritar kanë bërë nderime te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, memoriali i ushtarëve të NATO-s dhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Hoti ka thënë se secili nga ne në këtë ditë ka parasysh emocionet që kemi përjetuar si qytetarë kur trupat e NATO-s hynin në Kosovë.

“Bashkë me kabinetin qeveritar bëmë nderimet në këto tri vende simbolike te rezistencës dhe luftës në Kosovë dhe sakrificës për liri e pavarësi. Ditë e veçantë sepse secili prej nesh e kemi parasysh entuziazmin edhe emocionet që kanë përjetuar qytetarët në ato ditë qershori kur hynin trupat e KFOR-it në Kosovë. Ajo është memoria jonë si qytetarë, memoria jonë kombëtare që duhet ta mbajmë gjithmonë afër”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar se jemi falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi pas nga partnerëve tanë ndërkombëtarë për lirinë që sot e gëzojmë.