Hoxha: Do të mobilizohemi edhe më shumë që Demarkacioni të mos kalojë

04.08.2016 11:32:36

Ylli Hoxha është shprehur se do të angazhohen dhe mobilizohen edhe më shumë, qoftë edhe përmes protestave, që marrëveshja e Demarkacionit të mos kalojë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha, tha se këto 12 muaj kanë arritur shumë që ta pengojnë demarkacionin.

Sipas tij, këto marrëveshje ndalohen vetëm përmes forcës së tyre të përbashkët.

“Në këtë kuvend e qeveri ka kriminel e ka hajna, përgjimet e publikuara ditë më parë tregojnë se si është vendos Murat Meha në komision. Këta njerëz nuk mund të mbajnë demarkacion, moti është dasht të japin dorëheqje. Do të angazhohemi edhe më shumë të shtrihemi në gjithë Kosovën që të mobilizohemi e të kemi protesta të mëdha që kjo marrëveshje të mos kalojë”, tha Hoxha.

Rikujtojmë, se mbrëmë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka ftuar të gjithë qytetarët që nga ora 09:00 e ditës së enjte të grumbullohen para Kuvendit që ta parandalojmë këtë marrëveshje. Sipas saj, Qeveria po këmbëngulë që ta kontrabandojë këtë marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi.