Hoxha: Kam pasur oferta tash e 10 vite nga të gjitha partitë, zgjodha PDK-në sepse është parti e luftës dhe paqes

28.09.2019 23:30:33

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka dhënë një intervistë për lajmi.net ku ka folur rreth shumë çështjeve të ndryshme.

Hoxha ka folur edhe rreth aderimit të saj në Partinë Demokratike të Kosovës dhe angazhimin e saj në politikë, shkruan lajmi.net

Hoxha ka treguar se ajo ka pasur ftesa për më shumë se 10 vite nga të gjitha partitë, por nuk ka pranuar.

“Interesante, sepse ftesa kam pasur tash e 10 vite ose më shumë por përgjigja ime ka qenë negative për të gjitha partitë që më kanë ftuar sepse kam qenë e fokusuar tek profesioni im dhe puna ime artistike. Por si duket vjen një moment pjekurie, kur ti e kupton se shumë punë që ti i ke bërë si civil për të mirën publike nuk e kanë pasur efektin e duhur”, tha Hoxha.

Ajo tha se arsye e angazhimit të saj ka qenë pasi aktivitetin e saj ka menduar se është më mirë ta ushtroj në vendet ku merren vendimet.

“Ne shpesh e zëmë vetën duke u ankuar në shtëpi, kafene, institucione dhe ne mund të jemi iniciues të një ndryshimi për gjeneratat e reja dhe pse jo, gjithë këtë aktivitet që e kam bërë si civil ndoshta është mirë të orientohet aty ku ndodh vendimmarrja dhe gjërat të bëhen më shpejtë si proces”, tha Hoxha.

Arsye pse ajo ka zgjedhur PDK-në tha se është pasi kjo parti është e luftës dhe e paqes, por edhe parti e kuadrove të reja që i nevojiten Kosovës.

“E para sepse është parti e luftës dhe e paqes siç e quaj unë. Ka një krenari që e mbartë me vete sepse ka dalur gjiri i UÇK-së dhe jo vetëm, por ndër vite ka dëshmuar se e ka derën e hapur për kuadro të reja që lidhen me zhvillimet në paqe”, tha Hoxha.

Për këto dhe çështje të tjera për të cilat ka folur Hoxha për lajmi.net mund t’i ndiqni në intervistën e plotë të saj më poshtë: