Hoxha: Profesioni i ndërmjetësimit tani edhe në veri të vendit

26.05.2017 14:59:12

Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një ceremoni solemne, ka dhënë certifikatat e ndërmjetësimit për 19 ndërmjetësues të rajonit të Mitrovicës, ku 14 prej tyre janë serbë dhe boshnjakë, të cilët do të punojnë në komunat e veriut.

Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Hoxha, theksoi se me zhvillimin e mëtejmë të institucionit të ndërmjetësimit, po lehtësohet puna në gjyqësorin e Republikës së Kosovës dhe ky është një hap drejt integrimit të komuniteteve në sistemin tonë të drejtësisë.

“Profesionet e lira, në veçanti Ndërmjetësimi, shënon hap përpara në ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi ministrja Hoxha dhe vuri në dukje se profesionet e lira kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në sistemin e drejtësisë, të cilat tani do të shtrihen në gjithë territorin e vendit.

Hoxha kërkoi nga ndërmjetësuesit e rinj që punën e tyre ta kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm dhe njëherësh duhet pasur parasysh ndjeshmërinë e fushë-veprimtarisë se tyre.

Ministrja i inkurajoi të pranishmit në ushtrimin e profesionit në pajtim me ligjin duke theksuar se fuqizimi i mëtejmë i këtij institucioni, është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.