Isa Mustafa flet për koalicionin me AKR-në

16.05.2017 20:26:26
Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka folur për koalicionin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Thotë se ky koalicion do të fitojë zgjedhjet.

Këto komente Mustafa i ka bërë pak minuta pas nënshkrimit të koalicionit me AKR’në, njofton Klan Kosova.

“Marrëveshja përmban përcaktimin tonë të përbashkët. Do të punojmë bashkërisht në fushat themelor për zhvillimin e vendit  – veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik, të forcimit të shtetit ligjor dhe në fushën e integrimeve euroatlantike. Me AKR do të arrijmë fitore”, tha Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë bashkuar forcat për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor.

Në mbrëmjen e së martës, në rezidencën e Behgjet Pacollit, LDK dhe AKR kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

LDK ka lidhur koalicion gjatë ditës edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR’ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.

Afati për deklarimin e koalicioneve në Komision Qendror të Zgjedhjeve përfundon në mesnatë.

Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Isa Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të inicuar nga Nisma.