Hoxhaj në Riad, diskutohet për forum të përbashkët ekonomik mes Kosovës dhe Arabisë Saudite

28.12.2017 16:52:02

Në ditën e dytë të vizitës në Arabinë Saudite, zëvendës kryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajur takime të shumta në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik me Arabinë Saudite, si dhe ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Diplomatik të Mbretërisë me temë 10 vjetorin e shtetësisë së Kosovës, sfidat e Kosovës dhe pritjet për të ardhmen.

Në takimin me Sekretarine Përgjithshëm të Këshillit të Odave Ekonomike të Arabisë Saudite, Saud A. Al Mashari, është diskutuar për organizimin e një forumi ekonomik në mes të Kosovës dhe Arabisë Saudite, me fokus të vecantë në fushën e minierave, bujqësisë, turizmit dhe inovacionit. Gjatë diskutimeve në takim, është dakorduar që të shihen mundësitë për mbajtjen e këtij forumi gjatë vitit 2018.

Hoxhaj po ashtu ka takuar Sekretarin e e Përgjithshëm të Qendrës së Mbretit Abdulaziz për Dialog Kombëtar, ku është diskutuar për rolin e institucioneve shtetërore, mediave dhe shoqërisë civile, në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në anën tjetër, në Institutin për Diplomaci Hoxhaj ka bashkëbiseduar me gazetarë, politikanë, intelektualë e diplomatë të vendosur në Riad, në lidhje me shtetndërtimin e Kosovës, dhjetë-vjetorin e shtetësisë dhe kompletimin e sovranitetit të jashtëm të Kosovës.