“Huffington Post”: Droga mund të përdoret nga politika për pushtetin

07.10.2016 11:01:58

Në një artikull për Shqipërinë, gazeta “Huffington Post” ka analizuar problemin e trafikut të drogës që sipas saj është kthyer në problematik në vend.

Në shkrim, prestigjiozja amerikane shkruan se elita politike shqiptare mund ta përdorë drogën si një mjet për të mbajtur pushtetin.

Në artikull, renditen akuzat e Partisë Demokratike kundër kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri.

“Me bregdetin e vet përgjatë Adriatikut, ky rajon i Ballkanit ka qenë prej kohësh transit për kalimin e mallrave të paligjshme, armëve dhe drogës në mes të Europës, – lexohet në artikull. – Ky aktivitet ka përforcuar rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit politik në një vend që tashmë përballet me shumë sfida të brendshme. Ajo që e bën situatën aktuale unike janë akuzat, sidomos që vijnë nga Partia Demokratike, se zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste janë të lidhur ose përfitojnë nga tregtia e drogës. Kryeministri Edi Rama ka qenë i akuzuar në mënyrë të përsëritur se ka dështuar për të ndaluar rolin e Shqipërisë në tregtinë e drogës në Evropë. Dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qenë i akuzuar për mbrojtjen, dhe madje edhe si person që mbulon ata që janë përfshirë në tregtinë e drogës”.

Mes të tjerash “Huffington Post” thekson se Shqipëria, vendi i vogël i Europës Juglindore, është shndërruar në një epiqendër të tregtisë së drogës, sidomos të kanabisit.