Hyseni takon zyrtarë të lartë amerikan në Washington, thotë se Grenell është i përkushtuar rreth dialogut Kosovë-Serbi

04.08.2020 20:10:32

Koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni që po qëndron në Washington ka njoftuar se ka zhvilluar takime e biseda telefonike me zyrtarë të lartë amerikan, ku temë e këtyre bisedave ka qenë marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe njohja e ndërsjellë Kosovës e Serbisë.

Hyseni përmes postimeve në Facebook ka bërë të ditur se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të presidentit Donald Trump, ambasadorin Richard Grenell.

Koordinatori për dialog tha se biseda me Grenell ishte për normalizimin e raporteve përmes zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e projekteve investive.

“Sot në pamundësi të takimit në Washington (Ambasadori Grenell ishte në Kaliforni) pata një bisedë të gjatë telefonike me Ambasadorin Richard Grenell i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Trump. Bisedën e përqendruam në aspekte të veçanta të zhvillimeve në Kosovë dhe rajon. Amasadori Grenell mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar fuqishëm rreth dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë. Normalizimi i raporteve përmes zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e projekteve investive mbeten ne fokus të agjendës dhe përkushtimit të Ambasadorit Grenell”, shkruan Hyseni.


Kurse, gjatë qëndrimit të tij në Washington, Hyseni njoftoi se ka takuar edhe zëvendës asistent-sekretarin për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, drejtorin e lartë, Ryan Tully, drejtoren për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë  si dhe sot në Senatin amerikan është pritur për një takim me senatorin republikan Ron Johnson.

“Me Senatorin Johnson i cili është aktivisht i interesuar për raportet Kosovë Serbi bëmë një bisedë të hapur rreth dialogut dhe perspektivës së një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Hyseni në Facebook.

“Po sot, në zyrat e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Washington, prita për një takim të veçantë edhe z. Caleb Charles McCarry nga zyra e Shefit Ekzekutiv të Korporatës Finanaciare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (U.S. International Development Finance Corporation -DFC). Biseduam për një varg idesh për projekte investive që kjo korporatë synon të zbatojë në infrastrukturë dhe fusha tjera në Kosovë dhe rajon. Po ashtu sot pata një takim dhe bisedë shumë përmbajtjesore me z. James Carafano, z.President i Insitutit Davis të Fondacionit Heritage për Siguri Nacionale dhe Politikë të Jashtme. E falenderova z. Carafano për përkrahjen e madhe që Heritage Foundation i ka dhënë Kosovës dhe ushtrisë së saj”, shkruan Hyseni.