Ilir Meta firmos në Kushtetuese: Shembja e Teatrit Kombëtar, krim i trefishtë!

24.07.2019 13:39:09

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur ta bëjë në këmbë rrugën nga Presidenca deri te Gjykata Kushtetuese për të depozituar kërkesën për paligjshmërinë mbi shembjen e Teatrit Kombëtar.

Krejt ndryshe nga rastet e tjera, Meta ka menduar të sfidojë cilindo, madje edhe institucionalisht duke zgjedhur ta çojë vetë kërkesën në Kushtetuese, ndonëse kjo e fundit funksionon vetëm administrativisht dhe aspak juridikisht.

Pas dorëzimit të kërkesës, Meta dha një prononcim për mediat, teksa deklaroi: Eshtë një akt i rëndësishëm, ashtu si të gjitha  përpjekjet e qëndrueshme, sistematike të Presidentit, në raport me Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet vendore.

Meta e konsideroi proces kriminal dhe kapjen më flagrante të shtetit, atë që po ndodh me shembjen e Teatrit Kombëtar. “Eshtë krim kushtetues, krim kombëtar dhe krim kulturor” – deklaroi Presidenti Meta.

I pyetur se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, duke nënkuptuar se çfarë do të ndodhë, Meta, ripërsëriti qëndrimin e tij se vendin e la pa Gjykatë Kushtetuese, kryeministri Rama.

“Dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur sot këtu për të garantuar që Republika e Shqipërisë do jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit. Boll me sundimin e oligarkëve, drejtësia shqiptare do veprojë, ashtu si drejtësia ndërkombëtare” – tha Ilir Meta.